Mësova se të gjithë dëshirojnë të jetojnë në majë të malit, pa e ditur se lumturia e vërtetë është kur i ngjitesh rrëpirës.
Nëse për një çast Zoti do të harronte që unë jam një marionetë prej stofi e do të më falte një copëz jetë, padyshim nuk do t’i thosha gjërat ashtu si i mendoj, por patjetër do mendoja çdo fjalë që do të thosha.
Do t’u jepja vlerë gjërave, jo për sa vlejnë, por për kuptimin që kanë. Do të flija më pak, do të ëndërroja më shumë. Do të vazhdoja kur të tjerët do të ndalonin, do qëndroja zgjuar kur të tjerët do të flinin, do dëgjoja kur të tjerët do të flisnin dhe sa do më shijonte një akullore plot me çokollatë!
Nëse Zoti do të më falte një copëz jete, do të vishesha thjesht, do të shtrihesha nën diell duke lënë zbuluar jo vetëm trupin, por edhe shpirtin. Zoti im, po qe se do të kisha zemër, do të shkruaja gjithë urrejtjen time mbi akull dhe do të prisja derisa dielli ta shkrinte.
Do të pikturoja me një ëndërr të Van Goghut mbi një yll. Një poemë e Benedettit dhe një këngë e Serratit, do të ishin serenatat që do i dedikoja hënës.
Do ujisja, me lotët e mi, trëndafilat, për të ndierë dhimbjen e gjembave të tyre dhe puthjen tërë pasion të petaleve. Zoti im, nëse unë do të kisha një copëz jete, nuk do të humbisja as edhe një ditë pa i thënë-të dua, personit që dua. Do i bindja të gjithë, burra e gra, që të jetojnë të dashuruar pas dashurisë Do u tregoja njerëzve se sa shumë gabojnë kur mendojnë se në pleqëri nuk ka më dashuri pa e ditur se plakja vjen kur nuk dashuron më.
Një fëmije do i dhuroja një palë krahë, por do e lija të mësonte vetë të fluturonte.
Të moshuarve do u mësoja se vdekja nuk vjen nga pleqëria, por nga harresa.
Shumë gjëra mësova nga ju, Njerëz!
Mësova se të gjithë dëshirojnë të jetojnë në majë të malit, pa e ditur se lumturia e vërtetë është kur i ngjitesh rrëpirës .
Kam mësuar se kur një i porsalindur shtrëngon për herë të parë, me doçkëzën e tij të vogël, gishtin e babait, nuk e lëshon për tërë jetën.
Kam mësuar se një njeri ka të drejtë të shikojë një tjetër nga lart-poshtë vetëm kur ky i dyti ka nevojë për një ndihmë për t’u ngritur.
Janë shumë gjërat që kam mundur të mësoj nga ju, por realisht nuk do të më duhen shumë, sepse kur të më mbyllin brenda asaj valixhes, i deshpruar do të jem duke vdekur