Nezir Rrezja (1942-1976)
Kaluan bukur do vjet e në mollëza më janë nisur do rrudha
Që zemra ime i ndien kur kapërcej rrugëve të thata.
Shi, pas këtyre moteve prapë më solli udha
T'i përshëndes me mall bregoret në Kodrat e Gjata.
Ditët po kalojnë një nga një e nuk ndalen dot do rrudha
Të më shikojnë deri ku kam ardhur e ku jam shkrirë:
T'i numëroj gëzimet e vogla shpesh mundohem kot
Se bleruar jam në livadhe në harresë pa u pirë.
U pashë një ditë me vetveten i zhytur në kujtime, thelle
E pyeta veten: kush jam, a jam ai i pari
Që po korr frytet që dikur i pata mbjellë
Me njëmijë vuajtje në shpirt, unë bimë fshatari.
Po, jam ai që dikur shumë kohë u rrezita në shpat
Me dele e lopë ku shpesh më rrahu shiu e bora
Po, miq, ju kem rrëfyer një herë kur qesh në fshat
E ju më pat thënë: Na kënaqe, të lumtë dora!
E sot e ndala gazin e heshtur t'i numëroj, do kujtime të lashta
Dhe pak vargje që shpirtin ma nxejnë t'a thur kësaj dite,
Si zogu çerdhen në pranverë kur e thur me baltë e kashta
Se fshatarët po më thonë: Dole në rrugë drite!
Barinjtë bjeshkëve shumë herë lexojnë në aha
Do shkronja në lëvore e mblidhen kokë më kokë.
Flasin për mua se dikur në këto kodra e rraha
Kam bredhur pas grigjes me fyell e brisk në shokë.
Tani, thonë, pat shkuar larg diku nëpër shkolla
E shihnin kur ndonjë mbrëmje arrinte në gji të fshatit
Atëherë kur në vjeshtë piqeshin pemët, kumbulla e molla
E prapë rrugës për në qytet me dorë na bënte prej shpatit.