Ndikimi (a)kulturor i serive latine ne Kosove
Seritë latine janë bërë pjesë e pandashme dhe e përditshme e një kulture që po kultivohet tek shikuesit kosovarë nga vet televizionet tona. Syzhet e serive latine janë bërë bunar i thellë e i pashtershëm ku pinë ujë çdo ditë një pjesë e madhe e njerëzve që e kalojnë kohën para ekranit televiziv. Një transmetim i tillë rrezikon të krijoj një konfuzion në mes intrigave fiktive televizive dhe atyre reale tek konsumuesi televiziv, që i përket një audience të periudhës së pas luftës në Kosovë.
Shkruan: Fazli Rrezja
Një rezultat i tillë jo real apo ‘ fiktiv’, ka implikim në shpresat që njerëzit krijojnë për të ardhëm e tyre ne shoqëritë që gjenden ne tranzicion. Në këto vende bënë pjesë edhe Kosova, ku këto implikime ka të ngjarë të reflektohen në mes të miqve, kolegëve, anëtarëve të familjes , të dashuruarve, posaçërisht në kohën kur ata janë duke fashitur problemet e tyre sociale e psikike që kanë rezultuar në periudhën e pasluftës. Apo më thjeshtë të thuhet një pjesë e madhe e shikuesve televiziv po konsumojnë çfarëdo lloj serie që transmetohet nga mediat tona televizive.
Arben Salihu, Psikolog,thotë se ndikimi i tyre është negativ. “Seritë ndikimin më të madh e ushtrojnë tek moshat e reja. Duke ndikuar në devijimin e zhvillimit të personalitetit të tyre në mospërputhje me moshën që kanë ata ose në përshpejtimin e zhvillimit të personalitetit të tyre” thotë Salihu. Ndërsa regjisori te ri Besnik Zogaj, thotë se ky është një ndikim mjaft negativ kulturor, që nuk ka te beje aspak me kulture të mirëfillte . "Shume njerëz ndoshta edhe pa dashje ju imponohet të përcjellin këto seri ngase TV-tė tona, i transmetojnë një pas një dhe sikur mundohen ta mbjellin atë ndikim "kulturor", që unë e quaj negativ dhe tė rrezikshme" thotë ai.Konsumi i serive latine Audienca më e prekur prej këtyre serialeve është mosha e shkollës së mesme, të rinjtë adoleshentë por edhe moshat e tjera, deri tek ato më të vjetrat. Më tepër janë të prekur femrat, si vajzat e reja po ashtu edhe gratë e martuara thotë psikologu i ri Arben Salihu.
Periudha kohore e transmetimit të serive në bazë ditore në vetëm dy nga kanalet televizive, TV 21 dhe KTV, rezulton për afërsisht për ore te tëra , duke ekspozuar këto seri para 2 milionë shikuesve potencial të Kosovës. Shumicën e shikuesve e përbëjnë gratë , të rriturit e pashkolluar, adoleshentët apo një pjesë e madhe që konsiderohet si shtresa e papunësuar, ku bëjnë pjesë afër 60 për qind të popullatës sonë.
Në mesin e audiencës së rregullt duket të jenë personat që qëndrojnë kohën më të madhe në shtëpi, gratë dhe adoleshentët. Me fjale të tjera që janë të kufizuar në të ardhurat financiare, në shanset edukative për t’u socializuar dhe të tjerët që i qëndrojnë lojal serive për një kohë të gjatë.Kompanitë transmetuese në Kosovë kanë një ndikim të gjerë në aspektin kulturor tek audienca. Sot në dy kompanitë transmetuese, Koha Vision dhe TV 21 transmetohen me dhjetëra seri.
Shumica prej tyre janë latine e që paraqesin një “argëtim” hipotetik që përqesh e bie ndesh me realitetin tonë kulturor e tradicional. Seritë latine ngërthejnë në vete një nivel të lartë intrigues dhe një nivel të ulët të argëtimit të mirëfilltë. Audienca në shumicën e rasteve i internalizon ngjarjet që shfaqen në ato seriale dhe po ashtu i idealizon heronjtë e këtyre serive sikurse edhe veprat e tyre të cilat pak a shume u ngjajnë atyre të përrallave thekson psikologu Salihu . “Një ndikim tjetër është ndikimi emocional duke pasur parasysh që këto seri shikohen dhe përcillen me mjaftë emocione dhe pranohen nga audienca kryekëput ashtu siç shfaqen duke ditur që shumica e ngjarjeve në këto seriale nxisin ndjenja negative (pikëllim, vuajtje, zemërim, agresivitet, etj) duke pasur parasysh që aktrimi është në nivel shumë të ulët”, thotë Salihu
“Obsesion & Provokim”
Në kohën e pasluftës seritë latinë janë bërë një obsesione dhe provokimi për shikuesit e në veçanti ndaj një numri të madh të adoleshentëve të cilët për shkak të mungesës së infrastrukturës së objekteve argëtuese gjejnë ngushëllim në këto transmetime të përditshme.Obsesion, për shkak të një syzheu “Emocional” që shpalos ngjarje plot lot, intriga dhe ankthe, ndërsa Provokim si rezultat i imazheve të përditshme të dizajneve të kostumeve, interiorëve, thjeshtë të një pamjeje parajse të skenës së filmit.
Seritë latine të japin një “lehtësim” emocional dhe braktisje nga realiteti. Por sa do i butë të jetë motivi, seritë shpalosin një sistem të brishtë që paraqet imazhe të njerëzve që jetojnë në një luksozitet fiktiv e intrigues para audiencës kosovare, pjesa më e madhe e së cilës jeton në rrethana mjaftë të vështira."Nëse vazhdojmë t'i transmetojmë me kėtė avaz dhe nuk do tė ndërmerret asgjë rreth këtij fenomeni sigurisht se një ditė do tė bëhet edhe nė Kosovė njė "realitet" i atyre qka mësojmë nga ekranet tona dhe nga seritë latine, tė cilat jam i bindur se ne vendet e tyre nuk shikohen, thotë Regjisori Zogaj.
Sot, seritë latine janë bërë “muhabete interesante”
Përderisa udhëtojë me autobusët urban apo me taksi nëpër rrugët e kryeqytetit tonë, shpesh me ndodhë të dëgjoj tregime “pikëlluese” e hipotetike që pëshpëriten në mes të udhëtarëve. Tregimi që janë të ngjashme me ngjarje reale për shkak të mënyrës së si tregohen dhe ndjehen nga shumë njerëz të shoqërisë sonë, në rrugë, në shkolla, në zyre, e madje edhe në shtëpi me mysafirë shumë herë biseda për peripecitë e ndonjë personazhi të këtyre serive janë “lajm kryesor”.
Në periudhën e para luftës temat kryesore në mesin e njerëzve ka qenë politika. Ndikimi i mjeteve të komunikimit masiv në lidhje me politikën, luftën, problemet sociale ishin faktorët kryesor që ndikonin drejtpërdrejtë në sjelljet e audiencës. Por, sot, për shumicën e njerëzve, posaçërisht grave dhe adoleshentëve seritë latine janë bërë ushqimi kryesor që shtrohet në “tryezat” e tyre televizive.
Tregimi i taksistit & funerali virtual
Ajo që më ka habitur më së shumti në lidhje me seritë latine është një tregim interesant i një taksisti. Ai (taksisti) ishte thirrur urgjent për të dërguar një njeri dhe të bijën e tij në shtëpi. Prapa fytyrave të tyre të zbehta me siguri fshihej një tragjedi kishte menduar taksisti.Ata i thanë se ai duhej të ngutej pasi që u kishte dal një punë urgjente në shtëpi. Kur arritën para hyrjes së shtëpisë babai dhe e bija e tij filluan të qeshnin nga ngazëllimi Duke i thënë taksistit se kishin arritur me kohë të marrin pjesë në “Varrimin e Gracielës”.
Dje, mbrëma vdekja e njërit nga personazhet e serialit të tyre të preferuar i kishte prekur thellë. Ndikimi i intrigës që ka ndodhur në atë seria, i ka bërë ata të zhyten thellë brenda ngjarjeve të fundit që po zhvilloheshin në televizionin e tyre. Fakti që e bija dhe babai i saj kanë marrë pjesë në një funeral vizual tregon përfshirjen edhe te të rriturve, si një interaksion negativ social.
"Prindërit duhet tė mendojnë shume, se me çka i edukojnë fëmijët e tyre! Ngase dihet se prej atyre serive nuk mund tė mësojnë asgjë tjetėr përpos se si ta çrregullojnë jetën e tyre. nëse dikush prej tyre mendon se pozitivja e tyre është se mund ta mësoj njė gjuhė mė shumė, atëherë ketë mund ta bëjnë në mënyra të tjera" thotë regjisori Zogaj.
Seritë latinë në mesin e nxënësve
Efekti psikologjik i serive latine po ashtu ka një reflektim të gjerë në mesin e nxënësve të shkollat tona në Kosovë . gjatë pushimeve verore dhe atyre dimërore ata të shumtën e kohës e kalojnë para ekraneve televizive, duke shikuar seritë të ndryshme, e një pjesë e madhe duke shikuar me vëmendje dhe rregullisht seritë latine, pasi që televizionet tona kanë një program të “bujshëm” në aspektin e serive latine të lira e të shumta.
Një mësimdhënës nga Prizreni thotë se seritë latine që po shfaqen në televizionet tona paraqesin një ndikim negativ në qëndrimin dhe sjelljen e nxënësve. Pas përfundimit të pushimeve verore, në ditën e parë të mësimit , ai i kishte pyetur nxënësit në lidhje me aktivitetet e tyre, leximet, hobi, gjatë tre muajve të pushimeve. Por, përgjigjet e tyre, e në veçanti e vajzave kanë qenë të lidhura me seritë e tyre të preferuara, dhe tregimet për karakteret e serive dhe intrigave thotë ai. Ndersa Zogaj thotë se një pjesë e madhe e shoqërisë ndikohet, por, shpesh rrezikohet edhe shtresa e fëmijëve, tė cilėt te pafajshëm qëndrojnë pranë ekraneve televizive pasi edhe prindërit shpesh nuk mundet t’u thonë të mos shikojnë pasi që nuk ka alternativ tjetër të propozoi, kur e dimë se ka shumë pak emisione edukative dhe kulturore.Përderisa psikologu Salihu, shton se serialet mund të ndikojnë në zhvillimin e një personaliteti të atillë që përmban në përgjithësi karakteristika që bazohen në po këto ndjenja që u cekën më lartë dhe konstruktet kryesore psikologjike që e udhëheqin personin zhvillohen pikërisht mbi bazën e atyre ndjenjave.
Ikja nga realiteti (Escapism) & Tranzicioni
Audienca e Kosovës është bërë pjesë e pandashme e një intrige sociale dhe psikike gjatë gjashtë viteve të pasluftës. Mediat dhe kultura tradicionale kanë pësuar ndryshime të hovshme dhe ende janë në tranzicion e sipër.Serialet latine mund të kenë ndikime të shumta për një shoqëri në tranzicion siç është Kosova, thotë Salihu duke shtuar se përveç aspektit të zhvillimit personal individual mund të kenë edhe ndikim të gjerë kolektiv. Mund të ndikojnë në zhvillimin dhe kultivimin e vlerave të atilla që nuk janë vlera, në mos zhvillimin e vlerave kulturore dhe edukative por më tepër në bastardimin e tyre, stagnimin dhe mbajtjen e shoqërisë në një nivel që nuk është aspak dobiprurës, me theks të veçantë ndaj televizioneve që emetojnë këto seri latine dhe audiencës që i përcjellë ato, ku që të dy këto stagnojnë në nivelin e serive televizive
Ikja nga realiteti (Escapism) në shoqërinë tonë është e ngjashme, por në dimensione të tjera me fenomenin e periudhës së pasluftës së parë botërorë në disa vende evropiane, ku pija e tepruar dhe një jetë e shpejtë ishte në trend si pasojë e mungesës së një sistemi të mirëfilltë që qonte dëshirës për të braktisur realitetin e asaj kohe. Kjo gjeneratë asokohe quhej ”Gjenerata e humbur”(Lost Generation). E cila konsiderohej e “humbur” për shkak se ata kishin kuptuar se vlerat e trashëguara nuk ishin me të rëndësishme në periudhën e pasluftës. Humbja e shpresës, materializmi, zbrazësia emocionale ishte rritur ndjeshëm në mesin e asaj shoqëria të pasluftës së parë botërore.
Por, tash, në ditët e sotme, shumica e kosovarëve që janë të përfshirë si shikues të rregullt të serive latine duket se mund të shndërrohen në persona që dëshirojnë të jetojnë në një realitet fiktiv që është përlotë “dashuri, urrejtje dhe intriga fiktive”. E, tërë kësaj ja shton një barrë të madhe edhe fakti që në të njëjtën kohë ne kemi ngecur para udhëkryqit të një trekëndësh kulturor të perëndimit, lindjes dhe tradicionales.
Shoqëria kosovare gjate kësaj periudhe te nje tranzicioni intrigues, është e ekspozuar në një spektër të gjerë para një ndikimi negativ të serive latine, që transmetohen çdo ditë nga televizionet tona, të cilat po ashtu kanë nevojë për një transformim kulturor.
1 comment:
Awesome post. Do you mind if I ask what your source is for this information?
Post a Comment