Sfidat dhe Evoluimi
shkruan: Leonard Ibrahimi
Ekziston një pafundësi identitetesh në brendi të një individi; çdo person e ka identitetin e vet familjar, profesional, religjioz, nacional etj. Erik Erikson, një teoricien i mirënjohur, e definoi identitetin si zhvillim të harmonishëm të pikëpamjeve të brendshme personale të një individi dhe pikëpamjeve të tija të influencuara nga të tjerët.[1] Si i tillë, identiteti mund të konsiderohet kategori dinamike dhe gjithnjë e hapur.[2]
Edhe kombet, ashtu sikurse individët, kanë identitet. Identiteti nacional nuk mbështetet vetëm në gjuhën e përbashkët, racën e njëjtë apo pikëpamjet uniforme religjioze. Identiteti nacional është diç më shumë, ai është thellë i rrënjosur në qëllimet dhe idealet e përbashkëta të njerëzve. Këtë më së miri e tregon kombi amerikan në rrugëtimin e tij të gjatë për krijimin e identitetit nacional.
Kolonët e parë filluan të vijnë nga atdheu i tyre, Anglia, para më shumë se dy shekujsh. Identiteti nacional amerikan u zhvillua me kohë dhe është në proces të zhvillimit të mëtejmë. Ky identitet fillon të zë vend në zemrat dhe shpirtrat e burrave dhe grave, të cilët kishin emigruar nga Evropa, për të jetuar në kontinentin e ri.[3] Tradicionalisht, ndjenjat nacionale amerikane nuk kanë qenë etnike, por të bazuara në idenë e jetës së përbashkët dhe në mbrojtjen e idealeve të larta.
Dëshira për t’u njohur si kolektivitet i veçantë, si amerikanë, ishte inkurajuar nga aktet e ndryshme, të natyrës restriktive, të miratuara nga Parlamenti Britanik. Synimi i këtyre akteve ishte ngufatja e sistemit tregtar amerikan. Ishin këto tentativat e fundit të Parlamentit Britanik për të mbajtur nën kontroll kolonitë amerikane. Në këtë mënyrë, identiteti nacional amerikan u formua pa ndonjë orvatje të vetëdijshme; ai ishte reaksion spontan ndaj tendencave britanike për dominim dhe kishte për qëllim mbrojtjen e interesave jetike të qytetarëve të kontinentit të ri. Në këtë mënyrë, përvoja historike se një shoqëri unifikohet vetëm atëherë kur përballet me ‘tjetrin’ e jashtëm,[4] u dëshmua e vërtetë edhe në rastin e identitetit nacional amerikan.
Qytetarët amerikanë ishin disa njerëz nga kombe të ndryshme evropiane, të cilët besuan në idealin se një komb i pavarur dhe unik mund të krijohet, dhe në të, identiteti nacional i lirisë dhe demokracisë do të ishin udhërrëfyes i veprimeve të qytetarëve të kombit të ri.[5] I filluar nga asgjë, identiteti nacional amerikan do ta arrij pjekurinë e tij, mbase ende jo të plotë, pas më shumë se dy shekujsh. Ky identitet, në formën e tij më të re, do të përmbajë: një rritje të përputhshmërive midis këndvështrimeve të brendshme dhe të jashtme, përfshirë këtu edhe të qenit e hapur ndaj kompleksiteteve; rritjen e tolerancës ndaj diversiteteve si dhe pranimin e kufizimeve, me qëllim të fundit, realizimin e një jete më të mirë .[6]
GJENEZA E IDENTITETIT
Gjithçka filloi me vendosjen e trembëdhjetë kolonive në kontinentin e ri. Këto koloni u themeluan për një periudhë të shkurtër kohore, në hapësira të ndryshme gjeografike, në kuadër të kontinentit të ri, me shumësi konfesionesh dhe klasash sociale.[7] Përkundër mungesës së institucioneve të mirëfillta vendore që të ndikojnë në transplantimin e kulturave të caktuara, ardhja e pelegrinëve, rezultoi në transformime të shumta.[8] Të vendosurit jo-anglez e vështirësuan pak a shumë procesin. Kulminacioni arrihet me ardhjen e afrikanëve, në fillim si shërbëtorë e pastaj si skllav, në shoqërinë e cila nuk kishte as traditë e as ligje sa i përket skllavërisë. Sidoqoftë, kultura e brendshme merr formë, përcaktohet, nga gjuha angleze, por me kalimin e kohës do të sfidohet nga gjuhë të tjera, para së gjithash, ajo spanjishte.[9] Në anën tjetër, sistemi politik, i mbështetur në puritanizëm, i cili u përgjigjet në shumë pika teorive më absolute demokratike dhe republikane u formësua nga influenca e madhe që kishin në shoqëri anglezët e ardhur.[10]
Amerika shihej nga kolonët si vend i mundësive të shumta, vend ku ata do t’i shprehnin lirshëm ato që ndjejnë, dhe që sipas tyre ishin të rëndësishme për formën e tyre të të jetuarit.[11] Kolonët filluan ta konsiderojnë Amerikën si faktor që do t’i mbronte vlerat e lirisë dhe do ta luftonte korrupsionin evropian, para së gjithash atë të monarkisë angleze. Deklarata e Pavarësisë dhe vlerat e proklamuara nga Thomas Jefferson-i, jeta, prona dhe liria i formësuan qëllimet e Amerikës dhe të amerikanëve.[12] Më pastaj u konstituuan tri ideale të përgjithshme: liria, barazia dhe vetëqeverisja,[13] ideale këto që do ta shoqërojnë Amerikën dhe identitetin nacional të amerikanëve në rrugëtimin e tyre drejt së ardhmes së ndritshme.
Në anën tjetër, afrikano-amerikanët kërkonin që të Drejtat Natyrore të zbatoheshin për të gjithë, dhe skllavërisë t’i jepej fund.[14] Edhe vetë amerikanët e vunë re një kontradiktë ndërmjet skllavërisë që ata zbatonin ndaj racës së zezë dhe frikës së tyre nga nënshtrimi (skllavërimi) anglez. Do të jetë kjo sfida e parë dhe ndoshta më serioze me të cilën do të përballet identiteti amerikan në rrugëtimin e tij.
REVOLUCIONI: GJENERATOR I IDENTITETIT NACIONAL AMERIKAN
Luftërat kundër Britanisë, e më vonë edhe kundër Francës e forcuan ndjenjën e amerikanëve për t’u identifikuar si komb më vete dhe i veçantë;[15] përderisa amerikanëve u cenohej siguria kombëtare, identiteti nacional kishte prioritet kundruall identiteteve tjera. Porsa, ky faktor të mos ekzistonte, shoqëria përçahej dhe si rrjedhim, identiteti nacional, përkatësisht rëndësia e tij, shënonte rënie. [16]
Pas Revolucionit, themeluesit e kombit të ri, me rënien e rëndësisë së identitetit nacional duhej të ishin të kujdesshëm që të mos i cenojnë identitetet tjera, sidomos atë fetar; ndonëse protestantizmi ishte religjioni që i karakterizonte amerikanët, ata lejuan ushtrimin e konfesioneve të tjera. Karta e të Drejtave të Shteteve garantonte lirinë fetare;[17] baballarët e kombit i kishin kushtuar rëndësi të madhe religjionit, lirisë së ushtrimit të tij. Kujdesi për përcaktimin e sistemit të ri qeverisës, dhe kontrolli i pushteteve për të pamundësuar abuzimin dhe për të parandaluar tiraninë ishte çështje e rëndësisë kapitale për kolonitë; liria dhe demokracia do të jenë bashkudhëtarë me identitetin nacional amerikan, madje pjesë e pandashme e tij.
Përparësitë e liderëve politik, të cilët ishin të edukuar dhe kishin përvojë në këtë sferë të jetës ofronin një garanci se e ardhmja e kolonive do të jetë e sigurt. Kompromisi, pragmatizmi dhe besimi i ndërsjellë ishin fenomene shoqëruese të procesit, që do të shpinte në krijimin e ngadaltë, por të sigurt, të shtetit të ri.[18] Krijimi i këtij shteti, do të ishte e vetmja mënyrë për të konstituuar dhe mbrojtur identitetin nacional,[19] të kombit të ri, identitet ky me karakter më gjithëpërfshirës dhe pan-human.[20]
Përkundër të gjitha këtyre, në këtë fazë të zhvillimit të tij, kombi i ri përballej me sfida të shumta. Ai ishte një entitet, që në vete përfshinte pjesëtarë të racave të ndryshme, të konfesioneve të ndryshme, dhe të origjinave të ndryshme nacionale. Pyetjet më të shpeshta që dëgjoheshin ato ditë ishin: kush është amerikan dhe cilat janë atributet e identitetit amerikan?[21] Kjo mund të kuptohej deri diku, sepse kombi amerikan ishte diçka i veçantë, ishte kombi i parë dhe i vetëm në botë i definuar jo për nga gjaku, por për nga besimet dhe qëndrimet.[22] Amerikanët ishin të mendimit se uniteti i tyre në këto dy kategori, besime dhe qëndrime, pavarësisht origjinës etnike, do të përjashtonte ndryshimet në mes tyre dhe do të ishte katalizator i konstituimit të identitetit të tyre nacional.[23] Për atë kohë dhe kohët që do të vijnë kjo do të mbetet e mahnitshme. Amerika, me të drejt, konsiderohej si sinonim i inkluzivitetit dhe kozmopolitanizmit, kurse amerikanët ishin populli i zgjedhur për këtë mision.
EVOLUIMI I IDENTITETIT NACIONAL AMERIKAN – ETAPAT
Në rrugën e tij drejtë formësimit, identiteti nacional amerikan përshkon disa etapa. Ndër më të rëndësishmet janë:
Etapa e parë - Amerikanët konstituojnë federalizmin si sistem të qeverisjes. Lufta e thellë politike e viteve 1790 – 1800, kishte për qëllim krijimin e identitetit nacional, duke u mësuar për të toleruar dallimet etnike e politike, dhe duke legjitimuar republikanizmin.[24] Kjo më së miri vërehet në deklaratën e Presidentit Thomas Jefferson: “Të gjithë ne jemi republikanë, të gjithë ne jemi federalistë”.[25] Në të njëjtën kohë u instaluan rregulla të reja që do t’ua bënin qytetarëve jetën më të sigurt, më të lehtë dhe më përmbajtjesore. Etërit e kombit vendosën institucione qeverisëse, të atilla, që do të ishin sa më afër qytetarëve, dhe do të punonin për të mirën e tyre; tentohej të krijohej një sistem politik dhe shtetëror me të cilin do të identifikoheshin qytetarët. Bëhej e pamundura që lidershipi politik të mos e humbte ndjeshmërinë ndaj problemeve të qytetarëve. Përvoja e hidhur me Monarkinë Angleze kishte përcaktuar një rrjedhë të këtillë politike. Baballarët e kombit udhëhiqeshin nga ideja se qeverisja e popullit duhet bërë nga populli dhe për popullin.[26]
Etapa e dytë - Emigrimi në kontinentin e ri vazhdon edhe më tutje. Në fillim të shekullit XIX-të, qindra mijëra evropianë morën rrugë për në Amerikë, për në “Tokën e Premtuar”.[27] Amerika i absorboi të gjithë, me sukses të plotë. Ajo që duhet përmendur në këtë fazë, dhe që do të ndikojë në fuqizimin e mëtejmë të identitetit nacional amerikan është se, Kongresi nuk lejoi që të bëhet ndarja e tokave vetëm për pjesëtarë të një nacionaliteti. Kongresi ishte, si gjithnjë, në shërbim të kombit. Ky organ legjislativ asokohe e kishte kuptuar mirë misionin e vet: “Të parandalojë ndarjen e kombit amerikan, para se të bëhej bashkimi i tij”.[28]
Etapa e tretë - Në këtë fazë të evoluimit fillon ardhja e popullatës së zezë.[29] Ata në fillim erdhën si shërbëtorë e më vonë u transformuan në skllevër. Ishte kjo një sfidë e madhe për identitetin amerikan. A do të munden amerikanët ta përfshijnë këtë diversitet, racën e zezë?
Edhe një herë fati kozmopolit, se identiteti amerikan po merr formën e një bashkimi që po ndërtohet nga diversitetet u tregua i saktë.[30] Ndonëse segregacioni ndaj racës së zezë do të vazhdojë për një kohë të gjatë, amerikanët e kuptuan rëndësinë që kishte përfshirja e kësaj race në proceset shoqërore dhe politike të vendit. Kjo do të kërkojë nga ata që të jenë më tolerantë ndaj diversiteteve të ndryshme për hir të idealeve të larta.
Etapa e katërt - Lufta Civile i jep fund eksperimentit, Amerika është e përjetshme – integrimi i të zinjve në shoqëri, si qytetarë, filloi.[31] Amendamenti i XIV-të, paraqet fillimin e fundit të segregacionit. Përfundimisht, të gjithë qytetarët e lindur në Amerikë dhe që kanë marrë shtetësinë e saj, gëzojnë të drejta të barabarta, pavarësisht nga raca.[32] Të kujtojmë se identiteti nacional që po krijohej në këtë kohë ende nuk ishte multi-kulturor, ndonëse kishte përbërje të larmishme.
Etapa e pestë - Në fillim të shekullit të XX-të, përkufizimet e identitetit amerikan vazhdojnë të jenë fluide dhe në zhvillim, thjeshtë të pa-formësuar mirë. Shqetësimi nga valët e reja të emigrimit të njerëzve me bindje radikale dhe besime jo të zakonshme ishte në rritje.[33] Liderët amerikan u bën më agresiv në punët e jashtme, por më mbrojtës të shoqërisë vendore. Kjo periudhë karakterizohej me mbylljen parciale për emigrantët, përveç atyre me bindje dhe qëndrime të njëjta politike. Kjo do të ndikojë në forcimin e identitetit amerikan.
Etapa e gjashtë - Paqartësia dhe frika në lidhje me identitetin nacional u bën evidente në Luftën e Parë Botërore. Megjithatë, dolën në skenë lëvizje të ndryshme që angazhoheshin për përpilimin e programeve të amerikanizimit, programe këto, që do të promovojnë akulturimin e emigrantëve, dhe njëkohësisht integrimin e tyre në shoqërinë kozmopolite amerikane, me bërthamë angleze.[34] Në këtë mënyrë, bëhej e pamundura që emigrantët e porsaardhur të zhvishen nga kultura e tyre nacionale, dhe në ta, të transplantohej kultura amerikane. Pluralizmi kulturor, në këtë kohë konsiderohej si kërcënim për shoqërinë amerikane.
Etapa e shtatë - Lufta e Dytë Botërore është momenti vendimtar për identitetin nacional amerikan. Si përgjigje ndaj nazizmit, Amerika e përqafon multi-kulturalizmin dhe Statuja e Lirisë përfundimisht bëhet simbol i Amerikës, si shtet i emigrantëve.[35] Amerika e kundërshtoi politikën shfarosëse ndaj hebrenjve dhe racave të tjera. Ajo u ofroi strehim të përndjekurve dhe njëkohësisht i integroi ata në shoqërinë amerikane. Emigrantë nga shumë vende të botës, u mblodhën nën flamurin amerikan, për të luftuar kundër një armiku të përbashkët, nazizmit gjerman. Angazhimi i tyre i madh rezultoi me ngushtimin e hendekut midis idealeve të Amerikës dhe realitetit të saj. Kjo ndikoi që modeli i identitetit amerikan të bëhet më gjithëpërfshirës dhe më kompatibil.
Etapa e tetë - Tanimë konsiderohet se identiteti nacional amerikan e ka arritur pjekurinë e tij. Ai bëhet më gjithëpërfshirës. Diversiteti kulturor perceptohet si forcë e jo si kërcënim.[36] Raca akoma mbetet si çështje e diskutueshme. Debati rreth këtij fenomeni ende nuk ka përfunduar. Megjithatë martesat ndër racore bëhen më të shpeshta dhe nuk konsiderohen tabu; si rrjedhim, numri i qytetarëve me racë të përzier rritet.
Fundi i viteve 1980 dhe fillimi i viteve 1990 karakterizohen me zgjerimin e debatit rreth asaj se cili nivel i multi-kulturalizmit do të ishte i mjaftueshëm. A do të mund ta ruajnë amerikanët nukleusin (bërthamën) e tyre të mëparshëm me gjithë ekspansionin e kulturave të ndryshme?[37] Kjo ishte ajo që diskutohej atëkohë. Sidoqoftë, identiteti nacional amerikan i përfaqësonte në mënyrë të denjë parimet themelore të lirisë, të individualizmit, të demokracisë dhe të mundësive të barabarta për të gjithë.[38] Kështu, Amerika mbanë mbi vete një detyrë të shenjtë, të jetë një botë në miniaturë, ku çdo gjë do të jetë ashtu siç duhet.
IDENTITETI AMERIKAN PAS SULMEVE TERRORISTE TЁ 11 SHTATORIT
Sulmet e 11 shtatorit janë padyshim ngjarjet më dramatike në historinë më të re të Amerikës. Për herë të parë pati një manifestim aq të dukshëm të terrorizmit.[39] Tek amerikanët mbisundoi ndjenja e shkatërrimit total. Ata menduan se po e përjetojnë fundin e gjithë asaj që kishin ndërtuar me shekuj të tërë.[40]
Në anën tjetër, përçarja dhe fraksionizmi i shoqërisë, që ishin rezultat i mungesës së përballjes me ‘tjetrin’ e jashtëm, u ndalën. Amerika, papritmas, filloi të përjetoj valën më të madhe të patriotizmit; amerikanët e ri-zbuluan kombin e tyre dhe filluan të identifikohen me të.[41] Të gjithë ishin krenar që ishin amerikan; identiteti nacional ishte shumë i fuqishëm dhe dominonte ndaj identiteteve tjera. Këto sulme terroriste determinuan ndryshime të shumta dhe përcaktuan detyrime të reja të politikës e amerikane. Amerika dhe amerikanët, duhet t’i bindin pjesëtarët e konfesionit islamik në SHBA se janë duke e luftuar terrorizmin e jo religjionin islamik; ‘tjetri’ duhet të mbetet terrorizmi, sepse ndryshe rrezikohet përjashtimi i një pjese të Amerikës.
KONKLUZION
Përfundimi nga gjithë kjo që u tha është i qartë, kombi amerikan është kombi i parë dhe i vetëm në botë që nuk mbështetet në lidhje gjaku, por në besime dhe qëndrime uniforme.[42] Në ditët e para të Revolucionit Amerikan, njerëzit pyetnin: “Kush janë amerikanët?“, “Cili është identiteti që ne po e mbrojmë?“. Sot, dy shekuj më vonë shumëçka është qartësuar. Nëse ka pyetje të tilla, ato janë të arsyeshme, ngase siç u pa, shoqëria amerikane në vete përmban diversitete të ndryshme. Këto diversitete në të kaluarën jo të largët konsideroheshin si kërcënim, kurse tani si forcë.
Identiteti nacional amerikan u krijua; nuk evoluoi në rrugë të natyrshme. Kjo nuk e bën atë të përkryer, por e bën funksional. Funksionaliteti i identitetit amerikan mbështetet në vlerat e tij, të cilat me kalimin e kohës u shtuan dhe u bën më përmbajtjesore e më kompakte. Ato mund të përmblidhen në:· Besimi se Amerika është vend i veçantë, që u ofroi mundësi të barabarta të gjithë atyre që erdhën aty. Në të njëjtën kohë, u ofroi të ardhurve kushte të jashtëzakonshme për ta avancuar veten. Ata që erdhën dje në Amerikë e ndjejnë veten po aq amerikanë sa edhe ata që kanë lindur aty.· Të theksuarit konsekuent të individualizmit. Këtu nuk është me rëndësi se kush janë të ardhurit, por çfarë mund të japin ata.· Pranimi i demokracisë si sistem i qeverisjes; respektimi i të drejtave të minoriteteve; liritë e mishëruara në Kartën e të Drejtave si dhe respektimi i Parimit të Barazisë për të gjithë qytetarët.· Ideja se kombi amerikan mbështetet në republikanizmin dhe idealet e tij. Ky sistem, deri më tani, është treguar shumë i suksesshëm dhe fleksibël ndaj sfidave të ndryshme që para tij i ka sjellë koha.· Pranimi i faktit se Amerika nuk ishte asnjëherë e as që do te jetë ndonjëherë homogjene në aspektin racor, konfesional apo etnik. Identiteti amerikan do të karakterizohet gjithmonë nga multi-kulturalizmi.· Identifikimi me një numër të caktuar të simboleve, përfshirë këtu edhe monumentet kombëtare si, Statuja e Lirisë dhe figurat historike: George Washington, Abraham Lincoln, Franklin Delano Roosevelt, John F. Kennedy dhe të tjerë.A do të thotë kjo se përkundër rritjes dhe ekspansionit të identitetit amerikan, ai vazhdon të evoluojë, duke përfshirë edhe më shumë vlera në vitet që do të vijnë? Një gjë është e qartë: përderisa Amerika të jetë vend i emigrantëve dhe indigjenëve; i racave të shumta; i besimeve dhe bindjeve të ndryshme, identiteti nacional amerikan do të vazhdojë të evoluojë konform kërkesave që i parashtron koha. Fundja, identiteti konsiderohet si kategori dinamike dhe gjithnjë e hapur.[43]
NOTES:[1] Morton A. Kaplan. “September 11, 2001”, World and I, Vol. 16, November 2001.[2] Isuf Berisha. Identiteti dhe Konfrontimi: Shqiptarët dhe Serbët, Nga Reader-i[3] Morton A. Kaplan. “September 11, 2001”, World and I, Vol. 16, November 2001.[4] Samuel P. Huntington. Who are We. London: Simon & Schuster, 2004. Fq. 18.[5] Morton A. Kaplan,.“September 11, 2001”, World and I, Vol. 16, November 2001.[6] Karen O’ Connor & Larry J. Sabato. American Government, Continuity and Change. New York: PEARSON Longman, 2004. Fq. 22-23.[7] Aleksi de Tokëvil. Demokracia në Amerikë. Tiranë: Kristalina-KH, 2002. Fq. 19-21.[8] Emigrantët e quanin veten Pelegrinë. Shih: Aleksi de Tokëvil. Demokracia në Amerikë. Tiranë: Kristalina-KH, 2002.[9] Samuel P. Huntington. Who are We? London: Simon & Schuster, 2004. Fq. 18-19.[10] Karen O’ Connor, Larry J. Sabato. American Government, Continuity and Change. New York: PEARSON Longman, 2004. Fq. 33-45.[11] Ibid. Fq. 21-22[12] Ibid. Fq. 50-52.[13] Morton A. Kaplan, “September 11, 2001”, World and I, Vol. 16, November 2001.[14] Zyra e programeve ndërkombëtare të informacionit, DEPARTAMENTI I SHTETIT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKES. Vështrim mbi Sistemin Amerikan të Qeverisjes. Fq. 26-28.[15] Samuel P. Huntington. Who are We? London: Simon & Schuster, 2004. Fq. 17-20.[16] Ibid. Fq. 15-17.[17] Karen O’ Connor & Larry J. Sabato. American Government, Continuity and Change, Alternate 2004 Edition. PEARSON Longman. New York. Fq. 52-54.[18] John Fonte & Joseph E. Fallon. “We the Peoples: The Multiculturalist Agenda is Shattering the American Identity”. National Review. Vol. 48. March 25, 1996.[19] Michael Ignatieff. Gjaku dhe Përkatësia, Udhëtime në Nacionalizmin e Ri. Tiranë: DITURIA, 2000. Fq. 169-171.[20] Erik Erikson e konsideronte të tillë identitetin nacional amerikan.[21] Karen O’ Connor & Larry J. Sabato. American Government, Continuity and Change. New York: PEARSON Longman, 2004. Fq. 61-63.[22] Morton A. Kaplan. “September 11, 2001”, World and I, Vol. 16, November 2001.[23] John Fonte & Joseph E. Fallon. “We the Peoples: The Multiculturalist Agenda is Shattering the American Identity”. National Review. Vol. 48. March 25, 1996.[24] Karen O’ Connor & Larry J. Sabato. American Government, Continuity and Change. New York: PEARSON Longman, 2004. Fq. 44.[25] Ibid. Fq. 80.[26] Ibid. Fq. 61-63.[27] Ibid. Fq. 23.[28] Morton A. Kaplan. “September 11, 2001”, World and I, Vol. 16, November 2001.[29] Ibid.[30] Zenun Halili. Politika dhe Qeverisja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prishtinë: Adea, 2006. Fq. 17.[31] Karen O’ Connor & Larry J. Sabato. American Government, Continuity and Change. New York: PEARSON Longman, 2004. Fq. 71.[32] Zyra e programeve ndërkombëtare të informacionit, DEPARTAMENTI I SHTETIT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKES. Vështrim mbi Sistemin Amerikan të Qeverisjes. Fq. 27.[33] Karen O’ Connor & Larry J. Sabato. American Government, Continuity and Change. New York: PEARSON Longman, 2004. Fq. 80.[34] Zenun Halili. Politika dhe Qeverisja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prishtinë: Adea, 2006. Fq. 23.[35] Karen O’ Connor & Larry J. Sabato. American Government, Continuity and Change. New York: PEARSON Longman, 2004. Fq. 85.[36] Morton A. Kaplan. “September 11, 2001”, World and I, Vol. 16, November 2001.[37] Zenun Halili. Politika dhe Qeverisja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prishtinë: Adea, 2006. Fq. 221.[38] Karen O’ Connor & Larry J. Sabato. American Government, Continuity and Change. New York: PEARSON Longman, 2004. Fq. 89.[39] Ibid. Fq. 154.[40] Zenun Halili. Politika dhe Qeverisja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prishtinë: Adea, 2006. Fq. 269-271.[41] Samuel P. Huntington. Who are We? London: Simon & Schuster, 2004. Fq. 3-7.[42] Morton A. Kaplan. “September 11, 2001”, World and I, Vol. 16, November 2001.[43] Isuf Berisha, Identiteti dhe Konfrontimi: Shqiptarët dhe Serbët, Nga Reader-i
BIBLIOGRAFIA
Aleksi de Tokëvil. Demokracia në Amerikë, Tiranë 2002.Karen O’ Connor, Larry J. Sabato. American Government, Continuity and Change. New York: PEARSON Longman, 2004.Michael Ignatieff. Gjaku dhe Përkatësia, Udhëtime në Nacionalizmin e Ri. Tiranë: DITURIA, 2000.Zyra e programeve ndërkombëtare të informacionit, DEPARTAMENTI I SHTETIT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKES. Vështrim mbi Sistemin Amerikan të Qeverisjes, 2002.Isuf Berisha. Identiteti dhe Konfrontimi: Shqiptarët dhe Serbët, Nga Reader-i.Morton A. Kaplan. “September 11, 2001”, World and I, Vol. 16, November 2001.Samuel P. Huntington. Who are We? London: Simon & Schuster, 2004.John Fonte & Joseph E. Fallon. “We the Peoples: The Multiculturalist Agenda is Shattering the American Identity”. National Review. Vol. 48. March 25, 1996.Zenun Halili. Politika dhe Qeverisja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prishtinë: Adea, 2006.
No comments:
Post a Comment