Wednesday, February 14, 2007

Kultura Politike

Besimi nuk duhet të kërkohet, ai duhet të fitohet


Në demokracitë e konsoliduara, kultura politike siguron përkrahje për sistemin politik në “kohët e liga”. Vetëm me një nivel të lartë të besimit në institucione, sistemet politike mund t’i tejkalojnë krizat e ndryshme sociale. Përkundrazi, në demokracitë e reja mungon kjo dashamirësi e rezervuar; institucionet e këtyre vendeve përkrahjen dhe besimin duhet ta fitojnë. Në shoqëritë që kanë bërë hapat e parë në demokraci, qëndrimet ndaj sistemit politik varen më shumë nga të arriturat aktuale. Ngase, siç thonë Diamond dhe Lipset, “për një rrugëtim të gjatë e të suksesshëm të demokracisë, progresi dhe stabiliteti ekonomik nuk kanë alternativë” (1995:84).

Duke u bazuar në këtë qasje, bartësit e institucioneve tona do të duhej të kenë ndjeshmëri më të madhe ndaj problemeve me të cilat përballen qytetarët. Ata duhet të ndërtojnë një konsensus shoqëror rreth vlerave progresive dhe të veprojnë në të mirë të qytetarëve. Vetëm në këtë mënyrë do të arrinin të instalojnë një sistem qeverisës me të cilin do të identifikoheshin qytetarët, pra të ndodhë ajo që Hague dhe Harrop e quajnë “simpati për sistemin” (2001:79).

Në të kundërtën, rrezikohet që të humb besimi, edhe ashtu i luhatur, në këto institucione. Erozioni i besimit do të kishte pasoja të rënda për shoqërinë tonë. Do të minonte partneritetin potencial ndërmjet qytetarëve e institucioneve dhe do të shpinte drejtë abstenimit dhe mosangazhimit në jetën politike. Si rrjedhim do të kishim atë që Hague dhe Harrop e identifikojnë si “tjetërsim nga sistemi” (2001:81).

Sfidë imediate e institucioneve tona është që të jenë më transparente dhe të krijojnë klimë të përshtatshme për debat të shëndoshë politik. Parlamenti, si organ ligjdhënës, është vendi ku do të duhej të kultivohej një kulturë e tillë debati. Idetë e kundërta nuk duhet të konsiderohen paraprakisht të dyshimta, egoiste dhe të gabueshme. Ato duhet të luftohen me argumente, e jo të injorohen me cinizëm. Nuk duhet harruar se injoranca dhe cinizmi janë korrozive si për individin ashtu edhe për shoqërinë.

Institucionet vendore duhet të kenë parasysh se janë llogaridhënëse para qytetarëve, për veprimet e tyre. Llogaridhënia është pjesë konstituive e legjitimitetit të qeverive demokratike (Mayer, 2003:84). Kur qytetarët e kuptojnë se nuk gëzojnë përkujdesje të duhur prej institucioneve, këto të fundit mund ta humbasin përkrahjen dhe besimin. Deklarimet, “Zoti ju ndihmoftë” apo ”Zoti ua bëftë çarën”, janë fjalë që më së paku duhet të thuhen prej bartësve institucional. Titullarët e institucioneve nuk duhet të besojnë shumë në të drejtën e tyre për të qeverisur në pafundësi; qytetarët ua dhanë këtë të drejtë, por ata edhe mund t’ua marrin.

Besimi i ulët në institucionet tona nuk është mit. Fajtorë kryesorë për këtë janë udhëheqësit e këtyre institucioneve, të cilët garën tradicionale të ideve për qeverisje funksionale e kanë transformuar në një garë të premtimeve dhe parashikimeve për të ardhmen. Ata duhet t’u japin fund premtimeve të tyre dhe të fillojnë të bëjnë diçka konkrete, duke mos harruar se në demokracitë e sapolindura besimi nuk duhet të kërkohet, ai duhet të fitohet.



Alfred Marleku & Muhamet Ibrahimi

1 comment:

Anonymous said...

Your point is usefule for our team. Thanks!

Search This Blog