Monday, January 1, 2007

Diskursi poli(e)tik

GOGOLI DHE USHTA

Solana mund ta ketë njohur “gogolin” dhe mund të ketë rënë në gjendje asfiksie politike për shkak të tij, por ai nuk mund të mos ballafaqohet me një politikë aktive brenda strukturave vendimmarrëse ndërkombëtare. Heshtat do të përthyhen, sidoqoftë.


shkruan;Vehbi Miftari


1.
Së paku në nivel zyrtar, argument për shtyrjen e përcaktimit të statusit final të Kosovës, sipas Havier Solanës, është përdorur ndërlidhja (“input”-i) që kushtetuta-referendumi-zgjedhjet në Serbi kanë me këtë proces, por sheshazi ajo është e ndërlidhur, sikur thuhet, me “gogolin serb”: frikën nga marrja e pushtetit në Serbi nga radikalët. Kjo frikë vjen më momentin e miratimit të kushtetutës serbe, e cila Kosovën e njeh si pjesë të territorit shtetëror të Serbisë. Nga një pikëshikim moral ose etik, si të doni quajeni, kjo është thikë prapa shpine për të gjithë ata përfaqësues institucionalë dhe politikë gjithandej (madje edhe në SHBA), të cilët insistojnë që procesi të zhvillohet sipas dinamikës së paraparë nga Grupi i Kontaktit.

Madje, jo vetëm kaq. Të krijosh një paralele të tillë mes zhvillimeve politike në Serbi, të legjitimosh frikën nga gogoli radikalist (pa i kërkuar shkaset pse ai ekziston atje) dhe të pranosh (a nuk është heshtja një lloj i pohimit?), të pranosh, pra, që në Evropën e shekullit XXI të miratohen kushtetuta të tilla që haptas prejudikojnë përkatësinë shtetërore dhe administrative mbi një territor, është më tepër se humbje e kredibilitetit politik karshi qytetarit, të cilit i kërkohet vazhdimisht që të jetë pjesë e integrimeve, ndërkohë që i rikujtohet se ndarja është dimension real i jetës së brendshme të kësaj strukture. Ky nuk është interpretim i plotë sidoqoftë.

2.
Jo vetëm nëse qëndrimin e z. Solana e shikojmë nga një pikëshikim etik, por edhe në perspektivën e kontratës politike evropiane, përfaqësues i së cilës është vetë mjekërthinjuri spanjoll, njeriu nuk mund të mos pyes: a mos “gogoli” serb është shndërruar në gogol përmasash evropiane, i cili është përcaktues për kahet e zhvillimeve politike brenda kësaj strukture? A mos ballafaqimi për më shumë se 10 vite me regjimin e egër të Milosheviçit, dhe më pas me strukturat qeveritare të cilat në esencë nuk kanë shënjuar asnjë ndryshim esencial nga ajo politikë, se paku jo në raport me fqinjët, ka ndikuar që institucionet evropiane të hipnotizohen nga “represionit politik” dhe veprimet pasuese të mos jenë veçse pasuese të një gjendjeje të amullisë së plotë?

Ndryshe, si është e mundshme që përfaqësuesi për politikë të Jashtme të BE-së të ndikojë në të njëjtën kohë edhe në krijim të tensioneve politike jo vetëm në raport me qytetarët e Kosovës, por edhe me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat në disa prononcime të zyrtarëve të administratës shtetërore ose të instituteve të ndryshme, kanë shprehur qartë qëndrimin e vendit të tyre se ata dëshirojnë që procesi të përfundojë deri në fund të këtij viti? Nëse Solana nuk është i hipnotizuar, atëherë a mund të jetë ai hipnotizuesi më i madh brenda Bashkimit Evropian?

3.
Le të supozojmë se Solana ( i cili përfshihet brenda një mekanizmi shumë më të gjerë të vendimmarrjes) ka vlerësuar drejt situatën kur ka kërkuar shtyrjen. Por, a mund të jetë një pretendim i drejtë edhe nëse është në kundërshti me parimet e njohura dhe të pranuara ndërkombëtarisht, duke e përfillur “yshtjen serbe” për ta përfshirë Kosovën në kushtetutën e re të Serbisë, sikur ajo të ishte leva me të cilën do të hapeshin portat e parajsës? Unë nuk besoj se Solana mund të jetë tumirës i një politike të verbër nacionaliste (edhe nëse sharmi i tij politik mund t’i hipnotizojë mendjet dritëshkurtra të politikanëve në Bruksel ose nëpër vendet e veçanta të BE-së).

Vogëlsinë e deklarimeve të tij nuk duhet parë vetëm në dimension të vogëlsive të disa strukturave të BE-së, sepse ajo nuk është krejtësisht e tillë. Sprova për të, mbase, do të mund të ishte një pyetje retorike: A është deklarata e tij mishërim (ose kompromis, si të doni quajeni) me Rusinë apo me Serbinë? Ose, a mund të tumiret qëndrimi i tij e të mos krahasohet me diplomacinë aktive ruse në refuzimin e çfarëdo vendimi i cili, sikur tha ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, “do të merrej pa marrëveshje të Prishtinës me Beogradin!”?

Një vështrim më realist i konstelacioneve politike ndërkombëtare nuk ka se si të mos tërheq një linjë logjike mes frikës reale nga vetoja e Rusisë dhe koincidencës që paraqesin deklaratat (të përnjëhershme në kohë) mes Solanës e Ahtisrait, në njërën anë, si dhe ministrit Lavrov, në anën tjetër. Solana mund ta ketë njohur “gogolin” dhe mund të ketë rënë në gjendje asfiksie politike për shkak të tij, por ai nuk mund të mos ballafaqohet me një politikë aktive brenda strukturave vendimmarrëse ndërkombëtare. Heshtat do të përthyhen, sidoqoftë.

No comments:

Search This Blog