Friday, January 5, 2007

Shqiptaret & Religjioni

veshtrim i kapitullit: Religjioni

Albania- The rock garden of South Eastern Europe – Faik Konica



Shkrimin për historinë e identitetit te religjionit në Shqipëri, Faik Konica, e nis duke thënë se zakonisht pasardhësit i vënë nga një etiketë çdo shekulli të kaluar ndërsa bashkëkohësit duke u gjendur në këtë vorbull të ngjarjeve nuk përkojnë me perspektiven e domosdoshme, për të përmbledhur tiparin karakteristik të kohës së vet.

shkruan;Fazli Rrezja

Ai këtë e thotë duke kritikuar një film të shkurtër mbi Shqipërinë që kishte arritur në Uashington në vitin 1936 e që potenconte se Shqipëria ishte vend mysliman.
Këtu ai kritikon mediat, filmin, që nëpërmes kinemasë në këtë rast ka paraqitur një pamje të rrejshme duke u munduar që të pavërtetën ta bëjë më të pabesueshme.

Shqipëria, nuk është vend mysliman, thotë Konica. Shqipëria është vend i tre religjioneve është vend i myslimaneve, i krishterëve dhe ortodoksëve.

Nën sundimin osman, shqiptarët mysliman ishin në spikamë, ndërsa të krishterët mbetën nën hije , dhe kjo gjë sikur krijonte përshtypjen në botë se ky vend ishte islamik.

Me zgjimin e kombeve në Evropë në kohën kur elokuenca e Gledstonit kishte filluar kundër turqve një lëvizje të ngjashme me kryqëzatat në mesjetë- Grekët dhe Serbet, nuk kanë humbur kohë të përfitojnë nga ngatërrimi i religjionit me kombësinë.
Për grekët, Konica thotë se ata kurrë nuk e kanë kuptuar domethënien e kombit, duke menduar se religjioni është hallka e tyre e përbashkët. ”Marrëdhëniet në mes shqiptareve mysliman dhe të krishterë ishin shume me miqësore se sa marrëdhëniet e shqiptarëve me turq”, ka thënë Finlay.

Konica, thotë se grekërit nuk mund të kuptonin se si bullgarët , që ishin ortodoks, të mos ishin grek, por, dëshironin të ishin të pavarur. Për më shumë rreth grekëve mendjengushtë për religjionin si dhe profkat dhe barbarit e tyre kundër viseve shqiptare Konica ka shkruar në shkrimin e titulluar “Ju rrëfej Grekërit”

Për letrat e shkruara për religjionin e shqiptarëve të Mary Wortly Montagu, e gruaja e ambasadorit britanik në Stamboll në vitin 1716, Konica thotë se kishin gabime të qarta pasi që ajo nuk kishte mundur të kuptonte thellë këto cilësi fetare shqiptare. letrat u botuan pas vdekjes së saj dhe bënë nam duke nxitur njerëz të tjetër siç ishte edhe Xhorxh Gordon Bajroni.

Bajroni, thoshte për shqiptarët “Grekët mezi i marrin për të krishterë, e turqit mezi për mysliman, ata janë një përzierje e të dy feve , e nganjëherë e asnjërës”

Ndërsa bashkëkohësi i tij , kleriku anglikan T.S Hughes është më i qartë thotë Konica, ai thoshte se “Shqiptari muhamedan nuk është më besnik ndaj dokeve, riteve dhe ceremonive me ligjin e ri se sa me atë të vjetrin. Ai shpesh e merr për grua ndonjë të krishterë , djemtë i qon në xhami, kurse të bijat le të vejnë në kishë me të ëmën ‘ ndërsa ai herë vete në Xhami e herë në Kishë”.

Qysh në kohërat më të hershme të pushtimit turk, në Shqipëri ishte krijuar një zakon vendas që rregullonte pozitën e burrit të gruas dhe fëmijëve në martesa të përziera.

Përkundër kësaj, Konica shton se shënimet e mjegullta e të plotësuara me trillime mjeshtërore, mbi gjenden e dikurshme dhe të tashme religjioze në Shqipëri, kërkojnë patjetër një rivlerësim të përpiktë. Ai në këtë shkrim po ashtu pasqyron religjionin e para krishterë të vendit, duke potencuar veprën më moderne mbi çështjet e ndryshme ilire, hulumtimet e bëra në këtë fushë deri në vitin 1931, nga studiuesi gjerman Dr.M Fluss.

Sipas këtyre hulumtimeve thuhet se feja e ilirëve nuk dallonte rrënjësisht nga religjioni i romakëve. Po ashtu ai përmend në këtë shkrim emrat e perëndive që adhuronin ilirët.

Feja e vjetër u ruajt në shumë pjesë të Ilirisë deri në shek e katërt të epokës së krishterë, ekzistojnë disa doke pagane që kanë gjallëruar në Shqipërinë bashkëkohore si psh: zbukurimi i dyerve, dritareve me lule e gjemba ne ditën e parë të pranverës. Pastaj beja në diell, e hënë , në mal e krua.

Predikimi i ungjillit në Iliri daton nga shekulli i parë i epokës së krishterë dhe këtë e ka bërë ndonjëri nga apostujt e atëhershëm. Selia episkopale e Shkodrës , kryeqytet I Ilirisë, qe themeluar në vitin 385 dhe kishte një jetë të vazhdueshme prej afro 1500 vjet, ndërsa në vitin 1867 u ngrit në shkallën e kryepeshkopatës.
Kur në vitin 379, pas Krishtit, perandoria romake u nda në dy pjesë, Iliria politikisht mbeti në gjysmën lindore të perandorisë. Për kah religjioni mbeti drejtpërdrejt nën kishën e Romës me kryepeshkopin e Selanikut si vikar i Papës.

Gjatë luftës së freskave me 726, kur perandori Leoni III urdhëroi shkatërrimin e figurave kishtare në të gjitha kishat anembanë perandorisë, atëherë Papë Gërguri, ju përgjigj me shkishërimin të ikonoklastëve ose figurthyesve. Këtij sulmi perandori ikonoklast më 723 ju përgjigj duke tërhequr Kalabrinë, Sicilinë, Kretën dhe Ilirinë nga juridiksioni i Papës dhe duke e vënë nën autoritetin e Patriarkut të Kostandinopojës .

Gjatë shekujve të ardhshëm gjendja fetare në Shqipëri pësoj ndryshime nga luftërat politike në mes të lindjes dhe perëndimit. Shkizma apo ndarja e vitit 1054 ndërtoi një model gati tërë Evropën juglindore, Shqipëria , pos një pjese të vogël në veri që ishte dhe mbeti katolike, u vu nën juridiksionin e perandorisë lindore, politikisht dhe fetarisht. Me shkatërrimin e perandorisë bizantine në vitin 1453, Shqipëria ndonëse ende luftonte kundër turqve me udhëheqjen e Skënderbeut, ajo mbeti formalisht nën juridiksionin e kishës ortodokse lindore.

Nën këtë juridiksion besimtarët ishin të terrorizuar dhe të detyruar të ushtroni fenë e tyre në gjuhën greke. Kështu që elementet jogreke në perandori nxitën filluan të vrisnin mendjen e tyre, se më mirë do të ishte të përqafonin fenë e pushtuesve se sa të shtypeshin mes dy gurëve të mullirit, njëri politik e tjetri fetar.
Shqiptarët edhe pse u bënë ballë luftërave turke për afër 25 vite, ata ishin të parët që përqafuan fenë islame në një numër të madh.

Në fundin e shek 18 ndërrimi i fesë pothuajse kishte marrë fund , si rezultat në Shqipëri tash kemi 70% mysliman, 20 % ortodoks dhe 10% katolik.

Kalimi i shqiptarëve nga njëra fenë tjetrën mund të mbështetet në faktin se ishin numerikisht njësia më e vogël racore mes popujve armiq, në njërën anë nga sllavët dhe grekët nga ana tjetër duke zgjedhur fenë e pushtuesit dhe duke fituar prestigj politik dhe ushtarak në perandori thotë mendimtari i shquar Faik Konica
Shqipëria qe vendi i fundit në Evropën juglindore që u nënshtrua nga turku dhe vendi i fundit që fitoi lirinë e saj

Rreth ndërrimit masiv të fesë të paraardhësve të shqiptarëve në fenë myslimane janë dy mendime që qarkullonin nëpër kafenetë e Shqipërisë. Sipas njërit mendim sikur shqiptarët ti kishin qëndruar fesë së të parëve të tyre, sot do të ishin vendi më i gjerë dhe do të ishin të parët që do të çliroheshin nga zgjedha turke. Ndërsa, mendimi i dytë është se sikur ata të kishin mbetur të krishterë do të ishin shkrirë tërësisht nga fqinjët e tyre.

Por autori i njohur, Konica, e përfundon këtë shkrim duke thënë se historia nuk zhbëhet kurrë dhe për t’u marrë më tutje me këto çështje duket të jetë një punë e kotë.
---------------------------------------------------------------
Referencat që autori ka përdorur:

- Lady Mary Wortley Montagu. Letters and Works, Lord Wharncliffe, bot, Filadelfi, 1837, vëll fq 252.

-Lord Byron, Works,Thomas Moore, bot, Londër1832, vëll VIII, fq 113

-T.S.Hughes,Travels in Greece and Albania, Londër, 1830, bot i dytë, vëll II, fq 105.

-H.F. Tozer, researches in the Highlands of Turkey, Londër, 1869. vëll i parë fq 206.

-Edward Gibbon, Decline and the Fall of the Roman Empire, J.B Bury, bot. V, Londër , 1923, vëll V fq 256

- William Davis, A Short History of the Near East, Nju Jork, 1922. fq 211, 214

No comments:

Search This Blog