Saturday, January 6, 2007

Politika dhe politikanët

Shkruan; Leonard Ibrahimi dhe Alfred Marleku,

Politika, sipas Theodore Parker, është shkenca e urgjencës. Për Groucho Marx, ajo është arti i gjetjes së problemeve, diagnostifikimit të tyre, dhe aplikimit të zgjidhjeve të gabuara për problemet në fjalë. Në anën tjetër, Napoleon Bonaparta kishte thënë: në politikë, absurditeti nuk është pengesë.

Politika, stili kosovar
Politika, sipas modelit kosovar, mund të përshkruhet si, art i arteve dhe shkencë e shkencave. Ajo mashtron dhe ngatërron. Në punë të lartëson; në jetë të pasuron. Ironikisht, politika është i vetmi profesion, ku mungesa e diturisë është më e mirë se vetë dituria. Politika tek ne është punë profitabile, ku truri dhe arsyeja e shëndoshë janë më së paku të nevojshëm. Politika kosovare është e rastit dhe nuk ka strategji veprimi. Është përçarëse dhe ka prirje për të bërë hile. Nuk është unike as në momentet më kritike për ardhmërinë e kombit. Shpenzimet e saj janë enorme dhe nuk mund të justifikohen. Konceptet “e vërtetë“ dhe “gënjeshtër” janë të paqarta, të papërcaktuara dhe jorrallë ndërrohen me njëra-tjetrën. Politika tek ne paraqet një formë të shëmtuar të bixhozit ku nuk vlejnë rregullat. Shpeshherë, politika e përzier me gjuhën e urrejtjes gjeneron kriza të thella. Politika kosovare i simplifikon çështjet, i trivializon ato dhe fokusohet në personalitete, duke bërë njëkohësisht edhe hyjnizimin e tyre.

Politikanët
Politikanët tanë, me përjashtime të rralla, janë varietet i pafundmë, grup i paqëndrueshëm i diversiteteve dhe koleksion i kopjeve. Disa prej tyre janë individë amoral, që të padrejtën e proklamojnë si të drejtë. Shumë nga ta nuk kanë sens për humor; kur bosët politikanë janë të padisponuar, ashtu duhet të duken edhe pjesëtarët e eskortës së tyre. Ata mund të ndëshkojnë për padëgjueshmëri, por assesi nuk bën të kritikohen për këtë veprim. Një numër i madh i politikanëve kosovarë merren me thashetheme dhe shpifje. Garën tradicionale të ideve rreth platformës së qeverisjes, ka kohë që e anashkalojnë. Tani, ata konkurrojnë dhe garojnë me premtime, shpresa apo parashikim të së ardhmes. Politikanët bëjnë joshjen e votuesve me projekte progresive, që në të vërtetë nuk janë asgjë tjetër veçse retorikë e zbrazët dhe shpresa iluzore.
Të gjithë politikanët pajtohen vetëm për një gjë, e ajo është se nuk pajtohen për asgjë. E proklamojnë fuqishëm respektimin e institucioneve dhe ndarjen e pushteteve; në anën tjetër nuk i pranojnë vendimet e gjykatës më të lartë të vendit, nëse këto vendime nuk u përshtaten (kujto vendimin e Gjykatës Supreme rreth kontestit ministri – rektorat). Fjalimet e shumicës së politikanëve tanë i karakterizon ambiguiteti dhe mungesa e logjikës. Fjalët e tyre janë, thënë me eufemizëm, metafora transparente që nuk i përkasin realitetit ekonomik dhe politik të vendit tonë. Për fushatën e paskrupullt denigruese që zhvillojnë kundër rivalëve politik, lakmi do t’ua kishte edhe shefi i propagandës naciste Jozef Gebbels. Politikanët tanë “nuk kanë” dëgjuar për fjalën kompromis; sa për aplikimin e saj, as që mund të flitet. Paaftësia e tyre për të negociuar është tmerrësisht e madhe. Të gjithë duan t’i realizojnë qëllimet e tyre dhe ekskluzivisht qëllimet e tyre. Interesi publik është fjalë që ata e kuptojnë, por shumë e urrejnë; interesi personal është fjala që ata e preferojnë.
Mundësitë reale për të racionalizuar iracionalitetin e politikës kosovare, nëse ato ekzistojnë, janë shumë të vogla. Politika jonë e dezorientuar dhe politikanët tanë të “jashtëzakonshëm” janë pafundësisht “magjepsës” dhe misterioz. Është koha e fundit që qytetarët e vendit tonë të mbledhin guximin për të ripërcaktuar arsyet dhe qëllimet e politikës që ndjekin politikanët tanë. Një gjë është e qartë, ky nuk është atdheu që e ëndërronim para disa viteve; qytetarët e rëndomtë dhe patriotët e vërtetë të këtij vendi me të drejtë pyesin: Quo vadis Kosovë?




(Shkrimi është botuar edhe në të përditshmen “Express”. Nr. 98, viti I-rë, e shtunë, 04 qershor 2005. Fq. 19.)

1 comment:

Anonymous said...

Good words.

Search This Blog