“300” SPARTANËT- FILM KU TAKOHET FRIKA DHE GUXIMI
Kinematografia moderne ende nuk ka parë diçka më kolosale qysh prej filmit “Troy”, nuk ka pasur më shumë beteja të përgjakshme qysh prej filmit të Mel Gibsonit "Braveheart." dhe vizualitet të përsosur që nga filmi “Sin City."
Fazli Rrezja
Regjisori Zack Snyder së bashku me aktorët në rolet kryesore Gerard Butler, Lena Headey, Michael Fassbender, Vincent Regan dhe Dominic West kanë sjell para adhuruesve të artit të shtatë epin e luftës së përgjakshme Greko-Persiane, me titullin "300". Film ky që ka qëndruar në vendin e parë në toplistat amerikane për fundjavën e dytë me radhë.
Beteja antike e Termopileve paraqet mbretin Leonidas dhe 300 Spartanët që luftuan deri në vdekje kundër mbretit persian Kserkse dhe ushtrisë së tij masive.
Duke u ballafaquar me të pashmangshmen, heroizmi dhe sakrifica e tyre frymëzon të gjithë luftëtarët e Greqisë së vjetër të bashkohet kundër armiqve persian, duke tërhequr një vijë në rërën e demokracisë.
Në mbretërinë e Greqisë antike të “300 luftëtarët” shumica Spartan, kanë qenë të obliguar të mbajnë gjërat e domosdoshme në gjendje gatishmërie mburojën, shpatën helmetën, shtizën dhe përkrenaren e kuqe.
Filmi "300" është përplot errësirë dhe frikë, një novelë e kthyer në ekranin e madh dhe ekstremitete të luftës plotë gjak, koka të prera dhe zhveshje femërore.
Syzheu shpalos kohën kur meshkujt ishin meshkuj ndërsa femrat femra. Meshkujt i donin gratë por të shumtën e kohës ata e kalonin në luftime me meshkuj të tjerë. Këtu qartë shpalohen fjalimet e çelikta për detyrën, atdheun dhe lojaliteti dhe po ashtu për “vdekjen e lavdishme në fushën e betejës.
Filmi zgjat afër 2 orë dhe është i bazuar në betejën e Termopileleve, ku në vitin 480 para erës sonë, 300 Spartanët dhe qindra grekë të tjerë luftuan kundër qindra mijëra persianëve.
Një forcë e vogël e udhëhequr nga mbreti i Spartës Leonidi, bllokuan rrugën e vetme nëpërmjet së cilës mund të kalonte ushtria masive persiane e Kserkes. Pas tri ditë lufte, një vendor grekë me emrin Efiialtes tradhtoi grekët duke u treguar persianëve shtegun malor që qonte pas vijave të fronit grekë.
Persianët arritën të pushtojnë këtë kalim mirëpo pësuan humbje të mëdha, humbje shumë më të mëdha në krahasim me viktimat e ushtrisë greke. Filmi është një intrigë në vete duke ngërthyer frikë dhe guximin në të njëjtën kohë që vazhdimisht shkakton Katarsis tek shikuesit.
Lufta e mbrojtësve e betejës së Termopileve, historikisht përdoret si shembull për përparësinë e trajnimit dhe shfrytëzimi i terrenit të përshtatshëm për të maksimizuar potencialin ushtarak. Po ashtu kjo është bërë simbol i guximit të së pashmangshmes. Sakrifica e spartanëve ka rrëmbyer mendjet dhe zemrat e shumë njerëzve shumë dekada pas kësaj beteje.
Ky film po ashtu ka shkaktuar zemërime tek autoritetet e Iranit të cilët janë ankuar se ky tregimi i përshkruan paraardhësit e tyre si njerëz të egër.
No comments:
Post a Comment