Monday, April 16, 2007

Legjenda e Komedise

ENDACAKU I VOGËL DHE LEGJENDA E KOMEDISË, ÇARLI ÇAPLIN

Fazli Rrezja
Pikërisht para 118 viteve lindi buzëqeshja me e ëmbël dhe më e pafajshme kinematografike. Me kapelën e tij, shkopin, këpucët e mëdha dhe pantallonat e leckosura e të gjëra, ai u bë ylli i parë komik i filmit, pse jo edhe pionieri udhërrëfyes në historinë e botës kinematografike. Përformimet e tij komike në film, janë origjinale pasi ai me të vërtet ka qenë një endacak i rrugëve dhe i jetimoreve. Magjia e tij qëndron në shndërrimin e vuajtjeve të tij jetësore në një përformim komik origjinal, që mbeti i pashlyer në kujtesën e secilit njeri në rruzullin tokësor, për më shumë se një shekull.


Aktor, Producent, Skenarist, Regjisor, Komponues. I lindur më 16 prill 1889, në Londër, Angli. Çaplini është njoftuar më aftësitë përformuese qysh në moshën e hershme, pasi që të dy prindërit e tij ishin përformues muzikor.Pas një tragjedie të dyfishtë, kur nëna e tij pati krizë nervore dhe babai i tij vdiq kur ai ishte vetëm pesë vjeçar. Çaplini dhe gjysmë vëllai i tij Sidni, u bënë çamarrokë të rrugës, duke u endur jashtë dhe brenda shtëpive të bamirësisë. Pas një kohe qëndrimi në jetimore, ai morri pjesë në një turne me trupin muzikor të fëmijëve që quhej “The Eight Lancashire Lads”, kjo punë i dhuroi atij role të vogla në skenën Londineze.


Në moshën 17-të vjeçare ai ju bashkëngjit trupit muzikor “Karno” dhe bëri turne në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1913, producenti i filmave Mek Senet (Mack Sennett), pranoi atë në punë, në kompaninë “Keystone Co”, me një pagë prej 150 dollar në javë. Filmi i tij i parë për kompaninë “Keystone” ishte, “Making a Living” në vitin 1914. Në filmin “In Kid Auto Races at Venice” të vitit 1914, Çaplini paraqiti karakterin i cili do të bëhej një trend i jashtëzakonshëm "Little Tramp"( endacaku i vogël), i kompletuar me kapelën e tij, shkopin pantallonat e gjëra dhe këpucët e mëdha , ai do të bëhej shumë shpejt ylli i parë i filmit dhe ndoshta edhe pionieri udhërrëfyes në historinë e filmit.


Përderisa ishte duke punuar në kompaninë “Keystone”, Çaplini bëri afro 20-të filma të shkurtë, shumicën e të cilëve u bëri skenarin dhe regjinë vetë. Në ndërkohë ai kujdesshëm ka gdhendur rolin e endacakut –lypës, përkundër paraqitjes së spontanitetit dhe improvizimit. Ai ka punuar me përkushtim në çdo detale të filmave të tij. Në vitin 1915-të, ai u bë një aktor i famshëm, ku edhe ka nënshkruar kontratën për kompaninë e filmit “Essanay” për 1,250 dollar në javë, plus 10,000 dollarë marrëveshja kontaktuese.


Në filmin e tij të vitit 1915, “The Tramp”, Çaplini ka aktruar për herë të parë me Edna Purviance, e cila do të përformonte versionin e gruas ideale, në secilin film të tij, në tetë vitet e ardhshme. Në shumicën e filmave të tij, ai ka bërë përformime të këndshme në vazhdimësi, për nder të gruas qe ai e adhuronte, por ai përfundimisht e ka kuptuar se nuk ka pritur nga ajo që të bie në dashuri,me një endacak siç ishte ai.Në vitin 1916, Çaplin ka kaluar në “Mutual Film Corporation”, ku një varg filmash të shkurt e të famshëm siç janë “The Pawnshop”, “One A.M” në vitin 1916, ”The Immigrant” dhe ”Easy Street”, në vitin 1917, e bënë atë një yll ndërkombëtar.


Ai së shpejti filloi të punoi si një krijues filmash i pavarur, duke bërë distribuimin nëpër rrethin e egzibitorëve të parë nacional, dhe ishte përgjegjës për çdo aspekt të filmave të tij, ku ai përformoi dhe po ashtu bëri skenarin, regjinë, produksionin, editimin. Filmat e bërë gjatë kësaj periudhe përfshin edhe tre paraqitje të gjata “A Dog's Life “dhe “Shoulder Arms” në vitin 1918, paraqitja e fundit e fushëbetejave Evropiane dhe filmin e jashtëzakonshëm “The Kid” në vitin 1921, i cili u bë një nga filmat më të mëdhenj në historinë e filmit.Në vitin 1919, Çaplini dhe Grifith themeluan korporatën e artistëve të bashkuar (UA), së bashku me aktorët statik të Çaplinit; Meri Pikford (Mary Pickford) dhe Dagllas Feirbenks (Douglas Fairbanks). Filmi i parë i tij me korporatën “UA”, ”A Woman of Paris” në vitin 1923, po ashtu ishte një paraqitje e gjatë e filmit dhe filmi i tij i fundit që e bëri me aktoren simpatike Edna Purviance. Më pastaj ai vazhdoi të bëjë skenar të filmave dhe regji, por përformoi shumë shkurt në rolin e një mbikëqyrësi trenash.


Në vitin 1925, endacaku i vogël, Çaplin, bëri debutimin në “UA” me filmin “The Gold Rush”, film për të cilin ka thënë “Filmi me të cilin dua të kujtohem nga të tjerët”. Ai është shpërblyer me çmimin akademik në vitin 1928, për filmin e tij “The Circus”. Duke i refuzuar presionit të shtuar, për të vënë zërimin në filmat e tij, ai korri sukses edhe me një hit të madh në filmin e vitit 1931, ”City Lights”, një tregim për një endacak dhe dashurin e tij të pashpresë, ndaj një vajze të verbër, një shitëse e luleve. Çaplini pranoi t’i bashkëngjes muzikën filmit, megjithatë, po ashtu shtoi edhe efektin e zërit. Prej atëherë e tutje, ai punoi edhe në muzikën e të gjithë filmave të tij dhe i shtoi efektet e zërit, filmave të tij klasikë.


Duke qenë një aktor komik pa zë me një sens të kohës dhe një fytyrë të drejtë kureshtare, Çaplini solli një qasje të veçantë në çështjet sociale dhe politike në shumë filmat e tij. Filmi “The Great Dictator” në vitin 1940, filmi i tij i parë i metrazhit të gjatë me zë, një kombinim i humorit të mprehtë, një lloj satire e komenteve politike, Çaplini përformoi një rol të dyanshëm si berber çifut dhe rolin e Adenoid Hynkel, Hitlerit maniak , diktatorit të vendit Tomania. Filmi po ashtu paraqiti Xhek Oakin, si Benzino Napaloni nga Bakteria, një përqeshje e qartë e Benito Musolinit. Në vitin 1947 ai solli një film të veçantë të pas-luftës, një vizion i post-Holokaustit në filmin brilant dhe të një vetëdijshmërie sociale “Monsieur Verdoux”.Në vitin 1950, këndvështrimet liberale politike të Çaplinit tërhoqën kritika në një atmosferë në rritje të sipër të propagandës së dyshimtë të Xhozef Mekartnit (Joseph McCarthy) dhe fushatës së tij anti-komuniste.


Pas paraqitjes së filmit të tij të famshëm “Limelight” në vitin 1952 Çaplini i cili kurrë nuk kishte aplikuar për marrjen e shtetësisë amerikane, ishte në Angli kur u informua se ai nuk do të lejohej të kthehej në Amerikë për shkak të pikëpamjeve të tij. Ai së bashku me familjen e tij u vendos në Zvicër. Për shkak të urrejtjes publike ndaj Çaplinit, filmi i tij i parë evropian, një satirë e lehtë “A King in New York” nuk është shfaqur në Amerikë deri në vitin 1973.Në vitin 1967 ai nxori filmin e tij të fundit, një film me buxhet të vogël “A Countess From Hong Kong”, ku aktron aktorët e njohur Sofia Loren dhe Marlon Brando.


Në vitin 1972, pas 20 vitesh, Çarli Çaplin është ftuar në Shtetet e Bashkuara për të marr çmimin akademik. Duke e rivendosur atë në mendjen e publikuar si një nga gjenit e vërtet në historinë e kinematografisë botërore. Ai është kurorëzuar si kalorës në vitin 1975 nga Mbretëresha Elizabeth II. Çaplini, shpesh është kritikuar për jetën e tij personale dhe shijen e tij për gratë më të reja. Si shtesë nga katër gratë e tij, ai ka qenë i lidhur edhe me gra të tjera, duke përfshirë aktoret Pola Negri dhe Louise Brooks. Martesa e parë e tij me Mildred Harris, përfundoi pas dy vitesh me divorc në vitin 1920. Ai takoi gruan e tij të dytë Lita Grey, kur u paraqit në filmin “The Kid”, në moshën 12 vjeçare. Ata u martuan në vitin 1924, kur ajo mbushi 16 vjet dhe patën dy djem; Çarls Xhunior dhe Sidni.

Para se të divorcohej ai u martua me aktoren Paulette Goddard, në fillim të vitit 1930 dhe pastaj ky qift u nda në vitin 1942. Në vitin 1943, Çaplini u martua me Ona O'Neill, e bija 18-të vjeçare e dramaturgut Eugene O'Neill. Ky qift pati tetë fëmijë dhe qëndruan së bashku deri në vdekjen e aktorit të madh komik Çarli Çaplin.Çaplin vdiq në ditën e krishtlindjeve të vitit 1977 në Zvicër në moshën 88 vjeçare. Ai u varros dy ditë më vonë.


Një vjet pas vdekjes së tij trupi i varrosur i është vjedhur nga dy rrëmbyes të cilët i kanë bërë shantazh familjes për tij kthyer trupin e Çarlit. Pas 11 javësh policia kishte arritur t’i kapte personat dyshimtë duke kthyer mbetjet e trupit të tij përsëri të prehen në kodrat e fshatit Corsier, pranë liqenit të Gjenevës.

2 comments:

ET said...

Shum e bukur sinteza.
Te lumte rrezja !

Rrezja journal said...

Faleminderit!

Search This Blog