Monday, May 7, 2007

Morali i rrejshëm

PARABOLA E IMORALITETIT

Vlora Gashi

Shkrimtarët e mëdhenj sipas një ligjësie imanente shpesh kanë pikëtakime. Në të vërtetë ato janë shëmbëllime, sikundër është natyra e vet artit letrar, një përngjasim me jetën. Hajnrih Bël është shkrimtar i njohur gjerman, laureat i çmimit Nobël (1972), ndërkaq Ismail Kadare, shkrimtar i njohur shqiptar, i nominuar për vite me radhë për çmimin Nobël. Veprat e tyre që i morëm si objekt observimi në këtë punim, s’do mend, nuk janë veprat e tyre më të mira brenda korpusit krijues, por paraqesin një lëndë interesante që shtrihet në disa pista paralele krahasimore.

“Nderi i humbur i Katerina Blumit” u botua më 1974, kurse “Nata me hënë” më 1985. Në këtë plan mund të thuhet se diferenca e botimit prej rreth një dekade nuk mund të quhet distancë e përfillshme. Ngjashmëritë ndërkaq, në kontekst të zhvillimit letrar të dy autorëve, nuk japin bazë pandehme për ndikim të drejtpërdrejtë tek njëri-tjetri dhe aq më pak për imitim apo plagjiat.

Bazamenti kontekstual i të dy veprave, qoftë në planin tematik, qoftë në planin ideo-estetik është morali, nderi ose thënë më saktë parabola e imoralitetit.

Shtjella e fabulave në të dy rastet na jep të drejtë shumë lehtë t’i zhvendosim titujt e tyre. Vepra e Bël-it mund ta mbante bindshëm titullin NATA PA HËNË sikundër që veprës së Kadaresë do t’i rrinte natyrshëm titulli Nderi i Humbur i Mariana Krastës.

Në të dy veprat kryepersonazhi është femër, veshur me atribute intelekti, bukurie e sharmi, elemente këto të mjaftueshme për të sfiduar rrethin mediokër, për të nxitur zilinë, smirën dhe butaforinë e thashethemnajës. Mbi këtë bazë këto dy kryepersonazhe krenare, mospërfillëse dhe të dinjitetshme bartin brenda qenies së tyre shpirtin tragjik ose fajin pafaj.

Paradoksalisht autorët e këtyre dy veprave tok me personazhet e tyre janë shndërruar në vetje kontestuese që me personalitetin e tyre provokojnë oportunitetin kolektiv: Bëli profanizon pseudomoralin e shoqërisë kapitaliste (në këtë rast të Gjermanisë të viteve ’70), ndërkaq Kadare hipokrizinë e moralit kolektivist (në këtë rast të Shqipërisë socialiste të viteve ’80).

I pari vëhet në shënjestër të shoqërisë si element promajtist, madje kur e tek nuk kanë munguar as akuzat dhe hamendësimet për punë spiuni komunist; i dyti i ekspozohet po këtyre akuzave dhe dyshimeve me pandehmën për agjent të imperializmit. Analiza e këtyre dy veprave na bind edhe një herë se krijuesit e mëdhenj, pavarësisht nga formacionet stilistiko-letrare, me veprat e tyre zbulojnë të vërtetat dhe esencat e jetës në plan universal.

Struktura e romanit “Nderi i humbur i Katerina Blumit” të Hajnrih Bël-it stiset mbi bazën teorike të romanit policor, ku fillimisht jepet epilogu, pastaj sipas parimit të narracionit retardues zhvillohet ngjarja. Pra në fillim flitet për një krim dhe vetëm në fund të romanit zbërthehet misteri i vrasjes.

Katerina Blumi ka vrarë gazetarin Verner Tërges i cili ishte në të vërtetë bërthamë e intrigës dhe përgojimit në rrafshin mediatik, duke i dhënë zë opinionit të deformuar publik. Akti i krimit të Katerinës është një akt shokant për mjedisin dhe shoqërinë e kohës së saj, megjithatë shkrimtari ka krijuar një kontekst paradoksal dhe ironik.

Mendësia publike e gjykon veprimin e saj si “nder të humbur” por në anën tjetër Katerina Blumi me këtë akt, në mënyrë madhështore ka mbrojtur nderin e nëpërkëmbur. Sado që me akt vetëgjyqësie ajo ka dëshmuar gatishmërinë të paguaj haraçin e rëndë me burg prej disa vitesh. Mirëpo, me këtë akt ajo ka shënuar edhe aktin e çlirimit të saj shpirtëror, duke u fejuar me Ludvig Gëtenin që brenda burgut.

Që në nismë ngjarja zë fill në një mbrëmje festive të karnevaleve, ose më drejt një mbrëmjeje vallëzimi tek nuna e saj, Elsa Voltershajm. Në një këso atmosfere ngjizet edhe fabula e “Nata me hënë” të Ismail Kadaresë.

Mariana tek kthehet një natë me hënë nga një mbrëmje vallëzimi, nën trysninë e një emocioni të çastit shkaktuar nga një delir përkëdhelës hëne, shqipton fjalinë më të rëndomtë të një vajze beqare: “A është e vërtetë që burrat e kanë dashurinë më të fortë se gratë?”.

Pikërisht kjo fjali bashkë me dy-tre vargje për dashurinë të një poezie të viteve ’30 do të bëhet detonatori i fatalitetit të saj. Që këtej pastaj vjen e zhvillohet butaforia e thashethemnajës në kolektivin ku punon, në rrugë, në shtëpi dhe gjetiu. Drama e saj shpaloset në akte e nën akte të seancave, të mbledhjeve, të konferencave nëpër gjithë nomenklaturën e forumeve socialiste, që nga shoqatat e pionierëve e deri tek ato të veteranëve të luftës.

Zhvillimi i kësaj drame e vë Marianën para dilemës dhe sprovës së rëndë, siç e kishte vënë më parë edhe Katerina Blumin: t’i nënshtrohet me oportunitet gjykimit mediokër ndesh bindjes së vet, për të “shpëtuar” kështu pseudonderin, moralin fallso të shoqërisë, apo të rezistojë dinjitetshëm duke pranuar ndëshkimin?!

Edhe Katerina edhe Mariana, pranojnë blasfeminë, anatemën shoqërore, pranojnë njollën kolektive të “humbjes së nderit”, duke mbrojtur mu në esencë moralin dhe nderin vetjak. Marianës i kërkohet si provë nderi e morali dëshmia e virgjërisë nga mjeku.

Derisa gjithë kolektivi i saj priste që ajo ta sillte atë paçavure, ajo bën aktin më të pafalshëm për mendësinë e rendit shoqëror. E gris atë. Një akt i tillë në shoqërinë shqiptare të viteve ’80, një sfidë e tillë e strukturave të monizmit ishte më e rëndë dhe më fatale se vrasja që bën simotra e saj Katerina Blumi në Gjermaninë e viteve ’70.

Ky akt, pavarësisht nga pesha e tij, pavarësisht nga ndëshkimi kolektiv, është një akt i çlirimit shpirtëror të Marianës. Derisa Katerina projekton rifillimin e jetës nga burgu, Mariana po ashtu projekton variantin e saj të rifillimit të jetës duke e lindur foshnjen pas nëntë muajve nga ndëshkimi.

Kjo foshnje pa atësi, si riti biblik i Jezuit është goditja më e rëndë që i bëhet pseudomoralit dhe pseudonderit të shoqërisë. Në të vërtetë as Katerina as Mariana nuk i bëjnë veprimet e tyre si akte hakmarrëse, sado që konceptohen si të tilla, por janë akte të ndërgjegjshme dhe të dinjitetshme. Rebelimi i tyre përfundimisht është triumf i nderit.

Mbi bazën e ngjashmërive fragmentare këto dy vepra kanë pikëtakime edhe me lëndësinë letrare që nga antikiteti e gjer më sot. Personazhet femra që sfidojnë moralitetin e shoqërive të tyre mund të gjenden gjithandej. Na vjen në mendje Antigona e Sofokliut, Hajria te Halili e Hajria, Zhulieta te Romeu e Zhulieta, Ana Karenina e Tolstoit, Ema Bavari e Flloberit e të tjera.

Mirëpo, binomi Katerina Blumi dhe Mariana Krasta shtrin një denduri paralelesh, si të thuash një motërzim të mrekullueshëm të një himni për nderin dhe dinjitetin e femrës. Të dy këto vepra në mënyra të veçanta i janë ekspozuar vlerësimit kritik, qoftë të kritikës oficiele, qoftë të kritikës profesionale. Interesimi im për këto dy vepra nuk ka gjetur në asnjë rast që dikush nga kritikët a lexuesit ta ketë sheshuar në botimet publike këtë përngjasim.

No comments:

Search This Blog