Sunday, January 7, 2007

E ardhmja e Civilizimeve ?

Vështrim mbi librin:

“PËRPLASJA E QYTETËRIMEVE DHE RIBËRJA E RENDIT TË RI BOTËROR”- SAMUEL T. HUNTINGTON

shkruan; Fazli Rrezja
Libri i Hungtintonit “Përplasja e qytetërimeve dhe Ribërja e rendit të ri botëror”, është një vepër origjinale ku paraqitet një prezantim mjeshtëror dhe thellësi e përkryer, me aranzhimin e drejtë të datave të rëndësishme dhe me citate të përzgjedhura në mënyrë të duhur.
Stili i autorit në këtë vepër është mjaftë i pasur më fjalor, analitik dhe precizë. Po ashtu në një masë të madhe vepra është provokuese, duke na ofruar një prizëm tjetër, nëpërmes të cilës shpalosen sfidat se cilat janë qytetërimet që po hyjnë në konflikt në skenën globale? Çfarë peshe ka fuqia ushtarake dhe ekonomike në këtë rrugëtim të rendit të ri botërorë për të fituar superioritetin botërore?. Cili do të jetë roli i Evropës?,cili do të jetë roli i Azisë dhe shteteve që kanë rritje masive në ekonomi? Pastaj, me analizat që paraqet ne këtë libër rigjallëron në skenë një dramaticitet aktual, përballja me realitetin e krijuar pas sulmit të 11 shtatorit në kullat binjake.

Vizionet i Hungtintonit prekin dukshëm shumë nga aspektet të realitetit që po zhvillohet sot në botëTema kryesore e këtij libri është se kulturat dhe identitetet kulturore që në aspektin e gjerë janë identitetet e qytetërimit, janë duke formuar modelet e strukturës, shpërbërjes dhe konfliktit në periudhën pas luftës së ftohtë botërore. Duke e tërhequr një paralele të hartës gjeografike në mes të kulturave, Huntingtoni identifikon tetë qytetërime që garojnë në mes vete, qytetërimi Perëndimor, Sinik, Japonez, Hindu, Islami, Ortodoks, Amerika latine dhe me gjasë edhe qytetërimi Afrikan.

Në aspektin gjeopolitik dy të fundit (Amerika latine dhe qytetërimi Afrikan), janë më pak të rëndësishëm, ndërsa të tjerat ka të ngjarë të luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e ardhshme të ribërjes së rendit të ri botërorë. Islami, Përendimi dhe Kina përbëjnë pjesën më të ndjeshme të kësaj “përplasje” që do të paraqesin më së shumti rrezikshmëri në betejat e qytetërimeve në të ardhmen që sipas Hungtington do të ngjajnë për shkak të interaksionit të arrogancës së perëndimit, intolerancës islamike dhe fuqisë Sinike

Në përgjigje të optimistëve global që lavdërohen nga triumfi i perëndimit dhe krekosja nga përfitimet nga përhapja e tregjeve ekonomike, tregtisë së lirë dhe të drejtave njerëzore, Hunington na ofron një pamje krejtësisht tjetër: fillimin e një epoke ku konflikti do të jetë i thellë dhe epidemik dhe ku Perëndimi do të gjejë vetën duke garuar me një disatvantazh të ashpër. Armiqtë në këtë betejë të madhe do të jenë blloqet e shteteve apo të qytetërimeve, sipas konstruksionit të Huningtonit, kjo do të definojë identitetin e tyre dhe do të përcaktojë interesat e tyre dhe lojalitetin primar në kushtet kulturore.

Hunington shkruan se “Njerëzit dhe shtetet me kultura të ngjashme po bashkohen”, ndërsa “Njerëzit dhe shtetet me kultura të ndryshme po ndahen”. Në esence kulturat po e fshehin nacionalizmin dhe ideologjinë nëpërmes politikës. Gjatë luftës së ftohtë, pyetja themelore ka qenë “Në cilën anë je ti”?, tash kjo pyetje ka kaluar në “Kush je ti?”

Sipas përshkrimit në librin e Huningtonit kjo pyetje para së gjithash ka të bëjë me
religjionin në botën moderne. Ai për këtë fenomen shkruan se “ Religjioni është forca kryesore që i motivon dhe i mobilizon njerëzit”
Fundi i Luftës se Ftohte solli një ndryshim rrënjësor ne mënyrën e ushtrimit dhe nivelin e diplomacisë ne gjithë boten. Dalja fitimtare prej kësaj lufte e shteteve perëndimore me ne krye SHBA-të krijoi një realitet te ri dhe nxori sfida te reja.
Përfundimi i periudhës të bipolaritetit ndërkombëtarë erdhi si pasojë e fundit të luftës së ftohtë dhe qysh prej atëherë politikëbërësit, akademikët etj, janë përpjekur të kuptojnë se çfarë lloj strukture do ta zëvendësoj atë.

Bota pas luftës së ftohtë është shumëpolëshe, nuk e ka më atë ndarje mbisunduese, që ekzistonte gjatë luftës së ftohtë, mirëpo për sa kohë të vazhdon hovi demografik mysliman dhe hopi ekonomik aziatik, konfliktet ndërmjet Perëndimit dhe qytetërimeve sfiduese do të zënë më tepër vendin qendrorë ne politikën globale se sa vijat tjera të ndarjes, thotë Huntingtoni.

Sulmet terroriste të 11 shtatorit sollën në pah sfida të reja. Këto ngjarje shënuan fundin e e periudhës në marrëdhëniet ndërkombëtare, periudhë e njohur si momenti unipolar, kur ShBA-të ishte superfuqia e vetme që debutonte në lidhje me rendin e ri botërorë dhe që pastaj kaloi nga ky moment. Këto sulme janë rezultat në epokën ku politika e jashtme e ShBA-së u bë më shumë multilaterale se që ishte më parë.

Po ashtu çështjet kyçe të identitetit amerikan dhe pyetjet retorike edhe pas sulmeve nuk u zbehën, por vazhduan të mbetën edhe pas kësaj epoke si sfidë përcjellëse pyetjet si “ne amerikanët” ballafaqohemi me një problem substancial të identitetit nacional i cili karakterizohet me ketë fjali a jemi ne “ne”, njerëz të vetëm apo disa ? Nëse ne jemi “ne” atëherë çka na dallon ne prej “atyre” të cilët nuk janë si ne? Raca, religjioni,etnia, vlerat, kultura, pasuria, politika apo çka ? A është SHBA-ja , siç kanë argumentuar disa, një “komb universal”, i bazuar ne vlerat e përbashkëta të të gjithë njerëzimit dhe qe në princip përkrahim të gjithë njerëzit?

Kapitulli i parë i librit vë theks të veçante në çështjet se për here të parë në histori politikat globale janë shumëpolëshe dhe multi qytetëruese , modernizimi është i ndryshëm nga Perëndizimi dhe nuk prodhon as qytetërim universal e as perëndizimi të shoqërive jo perëndimore.

Duke e bërë këtë vështrim më problematik Hungtitnton mendon se ende është një mospërputhje në rritje në mes të aspiratave perëndimore dhe kapaciteteve të saja për ti fuqizuar ato. Në librin e tij ai thekson se perëndimi ka mbizotëruar botën jo nga superioriteti i vlerave apo religjionit por nga superioriteti i aplikimit të dhunës së organizuar. Dhe vazhdon në kapitullin pestë duke thënë se mbijetesa i perëndimit varet në amerikanët që riafirmojnë identitetin e tyre perëndimor dhe perëndimorët që pranojnë qytetërimin e tyre si unik e jo universal, duke ruajtur këtë kundër sfidave nga shoqëritë jo perëndimore.

Në fakt sipas tij është afiniteti i Perëndimit për ndërhyrje në qytetërimet tjera dhe kjo e bënë të rrezikshme epokën e qytetërimeve. Insistimi i perëndimit se vlerat e tij e bëjnë modelin që qytetërimet tjera duhet ta pranojnë, krijon një çrregullim për të cilën Hunington thotë se “çka është universalizëm për perëndimin është imperializëm për të tjerët”.

Kapitulli i dytë më shumë fokusohet në ndryshimin e bilancit të fuqisë në mes të qytetërimeve, perëndimi në kërkim të një ndikimi relativ, qytetërimi aziatik që është duke zgjeruar zhvillimin ekonomik, ushtarak dhe politik, pastaj qytetërimi Islamik duke shpërthyer në aspektin demografik e duke destabiziluar vendet myslimane dhe vendet fqinje dhe se ai përshkruan se qytetërimet jo perëndimore në përgjithësi afirmojnë vlerat e kulturës së tyre

Po ashtu në kapitullin e katër përshkruan qëndrimin universalit perëndimor që sjell konflikt me qytetërimet të tjera, më shumë me qytetërimin Islam dhe kinez dhe në nivelin më të ngushtë të luftërave ne vijën e shkëputjes në mes myslimanëve dhe jo myslimanëve gjë që do të thotë kërcënim për eskalim më të gjerë.

Konfliktet etnike dhe luftërat ne vijën e shkëputjes nuk janë përhapur barabar neper qytetërimet e botës. Ai cek është Bosnjën si një prototip të zymtë në vijën e shkëputjes. Ndërsa luftërat si ishin ajo e ndarjes së Jugosllavisë, në Çeçeni dhe ne mes të Indisë dhe Pakistanit janë dëshmi të konflikteve të ndër qytetërimeve
Luftimet më të mëdha ne vijën e shkëputjes kanë ndodhur ndërmjet serbeve e kroateve ne ish Jugosllavinë dhe ndërmjet budistëve dhe hindusve ne Sri Lank. Shumica e dërmuese e konflikteve ne vijën e shkëputjes ka ndodhur përgjatë kufirit që përshkon Euro-Azinë e Afrikën, i cili ndan myslimanet nga jo myslimanet.

Fuqia e Perëndimit relativisht me qytetërimet të tjera ka filluar të zbehet , më shumë kjo theksohet me krahasim me Islamin dhe Kinën. Në botën Islame rritja e popullatës në mënyrë masive rezulton me një zemërim dhe trazira, ndërsa në Kinë rritja e hovshme ekonomike rezulton me një mundësi potenciale që kërcënon dominimin e fuqisë perëndimore.

Sipas Huntigtonit, kërcënimi me i drejtpërdrejte kundrejt Perëndimit është ai i një “aleance mes qytetërimit islamik dhe konfucian”. Dhe këtu ai paralajmëron se pothuajse vendet perëndimore ulin shpenzimet e tyre ushtarake, që nën udhëheqjen e Jelcinit edhe Rusia ka bërë të njëjtën gjë. Ne të kundërtën, Kina, Koreja e Veriut dhe mjaft vende te tjerë te Lindjes se Mesme rrisin forcat e tyre ushtarake. Kjo aleance islamiko-konfuciane ka si qellim arritjen e prodhimit te një numri te mjaftueshëm armesh bërthamore, kimike, biologjike, etj. pa te cilat nuk do te mundin te vene ne dyshim fuqinë e Perëndimit dhe këtu merr si shembull përgjigjen e kryeministrit Indian, i cili gjate Luftës se Gjirit pati deklaruar se nuk duhen luftuar SHBA-të nëse kundërshtaret nuk janë te pajisur me arme bërthamore.

Roli i religjionit zë një vend eminent në paralelen që ka tërhequr Huntingtoni në mes të qytetërimeve. Më shumë se të gjithë faktorët të tjerë religjioni thekson “ kush jemi ne” dhe “Kush nuk jemi ne”.

Hungtinton problemet e Perëndimit me Islamin nuk i atribuon si ndikim i fanatizmit. Problemi për perëndimit siç thotë ai nuk është fundamentalizmi islamik. Është islami, një qytetërim tjetër, ku njerëzit e këtij qytetërimi janë të bindur për nga superioriteti i kulturës së tyre, duke e bërë po ashtu një krahasim tjetër se Islami e ka të vështirë të jetojë në harmoni me shtetet tjetra fqinje. Ndërsa për botën Ortodokse dhe Amerikën latine duke thënë se këto religjione kanë pasur kohëra të vështira gjatë tranzicionit nga komunizmi dhe kolonializmi, respektivisht në modelin perëndimor , përderisa shtetet si Kili dhe Republika Ceke të cilat kanë përqafuar Perëndizimin kanë arritur progres të mjaftueshëm.

Në kapitullin e tretë qytetërimi dhe rendi botërorë paraqet në pah, shoqëritë që ndajnë afinitetet kulturore, mos suksesi i përkushtimeve për kalimin e shoqërive nga një qytetërim në tjetrin dhe bashkimi i vendeve për rreth shtetit bërthamë të qytetërimit të tyre. Hungtiton, paraqet në pah një epokë të re të garës, armiqësisë në mes të qytetërimeve që e kundërshtojnë njëra tjetrën. Në këtë epokë të përplasjeve armiqësia do të kalojë në një konflikt të armatosur ku dhuna do të përfshijë dhe do të tejkalojë kufijtë e qytetërimeve.

Vizioni i Emanuel Kantit për “Paqen e Përjetshme” pretendonte se kombet të integruara nëpërmjet tregtisë ndërkombëtare do të mund ti bashkëngjiteshin federatës së shteteve jashtë interesave të tyre. “Paqja e përjetshme” e shkruar më shumë se 200 vite më pare pretendonte se demokracia, ndërvarësia ekonomike dhe ligji ndërkombëtarë do të mund të vendosnin një bazë për paqen e përjetshme në botë. Mirëpo edhe pse deri tani ky vizion i Emanuel Kantit kurrë nuk ka pasur sukses,
Hungtintoni më pamjen e tij mbi përplasjet e qytetërimeve, teorinë e Kantit e zhytë në një nivel utopik, duke vë pah rrezikun që i kanoset të drejtës së shteteve (Ius Gentium) apo krijimit e një komuniteti të vetëm universal “Ius Cosmopoliticum” nga ribërja e rendit të ri botëror.

Paqja nuk mund të inaugurohet e as të sigurohet pa ndonjë marrëveshje të përgjithshme ne mes shteteve

Përderisa vështrimi i Steve Smith për ardhmërinë e rendit botërorë në një mënyrë po ashtu hedhë poshtë teorinë e Kantit duke thënë se shtetet nuk janë aktorë por janë njerëzit, interesat qartë ndikojnë në qëndrimin e tyre, por, ata duhet t’i referohen indentitetit dhe kornizave të interesit. Kjo është arsyeja pse ardhmëria e rendit botërorë varët nga zgjedhjet që bëjnë liderët tanë dhe vlerat për të cilat ne mendojmë se ata duhet t’i promovojnë. Rendet e reja botërorë reflektojnë vlerat dominuese, gjithmonë janë parciale dhe mund të pengojnë kërkimin për drejtësi dhe paqe globale.

Rendi i ri botërore nuk rezulton në mënyrë spontane të natyrshme, por, reflekton në zgjedhjen tonë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme dhe kështu pastaj ndërlidhen debatet ndërkombëtare dhe vendore. Për shoqëritë e ndryshme civile është esenciale të debatohet për këto çështje tash, më shumë se kurrë. Në botën e cila është bërë shumë e ndërvarur, kufijtë e shteteve kombe janë bërë të përshkueshme, duke shkaktuar shume vendime fundamentale përtej kontrollit të qeverive nacionale dhe përtej kufijve të udhëheqjes.

Huntington qartë na tregon se politika botërore po hynë në një fazë të re dhe liderët dhe intelektualët e shumtë nuk hezitojnë të përhapin vizionet e tyre në çështjet se cili do të jetë fundi i historisë dhe refuzimi i shteteve nga zvarritja e konflikteve fisnore dhe globale.
----------------------------------------------------------
Referencat:

Steve Smith,The End of the Unipolar Moment: September 11 and the Future of World Order, http://www.ssrc.org/sept11/essays/smith.htm


Samuel P. Huntington, “Who Are We?, America’s greatest debate, KIJAC Reader for Jour 624.

Allen W Wood,” Kan’s Project for Perpetual Peace”, KIJAC Reader “ Media and the normative conept of Europe”

Tim Dunne. “Liberalism.” Chapter 8, “Immanuel Kant’s Perpetual Peace ; A philosophical Sketch

Steve Smith,The End of the Unipolar Moment: September 11 and the Future of World Order, http://www.ssrc.org/sept11/essays/smith.htm

1 comment:

Anonymous said...

veshtrim shume interesant

Search This Blog